Uashingtoni po përpiqet intensivisht për të shmangur një ndërhyrje ushtarake ruse në Ukrainë. Sipas shërbimeve amerikane të zbulimit, Moska është gati për të futur ushtrinë në Ukrainë të mërkurën e javës së ardhshme.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken bisedoi në telefon me homologun rus Sergei Lavrov, të cilit i tha se Perëndimi e ka lënë të hapur shtegun e zgjidhjes diplomatike. Ai lëshoi sërish një paralajmërim të ashpër për Rusinë nëse sulmon Ukrianën.
“Nëse Moska zgjedh rrugën e agresionit dhe pushton Ukrainën, përgjigja e Shteteve të Bashkuara dhe e aleatëve do të jetë e shpejtë, e bashkuar dhe e ashpër”, tha Blinken.
Sipas Blinken, Lavrov i kishte konfirmuar se Moska po punon për t’i kthyer përgjigje propozimeve me shkrim që i kishte bërë javën e kaluar Uashingtoni, për zgjidhjen paqësore të krizës.
Megjithatë, Rusia e ka bërë të qartë se nuk heq dorë nga kërkesa për një traktat me SHBA, që garanton se Ukraina nuk do të anëtarësohet në NATO. Të Shtunën, presidentët Biden dhe Putin zhvilluan një telefonatë urgjente, në të cilën sipas mediave tonet ishin të ashpra, pas qarkullimit të lajmeve se Rusia do të ndërhyjë ushtarakisht javën tjetër në Ukrainë. Putin akuzoi perëndimin për histeri, ndërsa tha se nuk ka asnjë qëllim të pushtojë Ukrainën.