Blinken siguron vendet baltike për mbështetjen amerikane

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Blinken siguron vendet baltike për mbështetjen amerikane

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, siguroi të hënën Lituaninë për mbrojtjen e NATO-s dhe mbështetjen amerikane. Vizita në Vilnius ishte e para në tre kryeqytetet baltike ndërsa Lituania, Letonia dhe Estonia janë gjithnjë e më të shqetësuara, në një kohë që Rusia vazhdon agresionin në Ukrainë.

Letonia, Lituania dhe Estonia janë vende anëtare të NATO-s dhe zoti Blinken synon t’u japë atyre garanci sigurie në rast se Rusia vendos të zgjerojë operacionet e saj ushtarake. Sekretari Blinken e quajti “të shenjtë” angazhimin ndaj parimit të NATO-s se sulmi ndaj një anëtari, është sulm ndaj gjithë aleancës.

“Ne do të mbrojmë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s nëse sulmohet. Askush nuk duhet të dyshojë në gatishmërinë tonë. Askush nuk duhet të dyshojë në vendosmërinë tonë”, tha zoti Blinken në një konferencë shtypi me Ministrin e Jashtëm të Lithuanisë, Gabrielius Landsbergis.

Presidenti lituanez, Gitanas Nauseda tha se agresioni rus kundër Ukrainës dëshmon se kërcënimi ndaj sigurisë në rajon, sigurisë evropiane dhe asaj të aleancës, është afatgjatë. Zoti Nauseda tha se politika e parandalimit nuk ishte më e mjaftueshme dhe se duhen marrë masa për mbrojtje.

Advertisement

“Putini nuk do të ndalet në Ukrainë, nëse nuk e ndalojmë. Është detyra jonë kolektive të ndihmojmë të gjithë ukrainasit me të gjitha mjetet në dispozicion, nëse duam të shmangim Luftën e Tretë Botërore. Zgjedhja është në duart tona”, tha zoti Nauseda.

Pas Vilniusit, zoti Blinken shkoi në Riga të Letonisë, ku në një konferencë të përbashkët shtypi, Ministri i Jashtëm letonez Edgars Rinkevics bëri thirrje për një prani të përhershme të trupave amerikane në vendin e tij, pas agresionit rus të Ukrainës.

“Ne nuk kemi më iluzione për Rusinë e Putinit, nuk shohim ndonjë arsye bindëse që të na bëjë të mendojmë se Rusia mund të ndryshojë politikën e saj,” tha zoti Rinkevics.

Sekretari Blinken tha se nuk është marrë ndonjë vendim për një prani të përhershme të trupave amerikane në Baltik.

Advertisement

Të martën kryediplomati amerikan do të vizitojë Talinin e Estonisë, para se të shkojë në Paris për bisedime me presidentin francez Emmanuel Macron.

Kujtimet e sundimit sovjetik janë ende të freskëta në vendet e Baltikut dhe që kur filloi agresioni ndaj Ukrainës muajin e kaluar, NATO ka vepruar me shpejtësi për të rritur praninë e trupave tek aleatët e krahut lindor, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara kanë premtuar mbështetje shtesë.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy