Ministri i Jashtëm bjellorus, Uladzimer Makey ka akuzuar vendet Perëndimore për ndërhyrje në punët e brendshme të vendit të tij, për të nxitur “kaos dhe anarki”, teksa në Bjellorusi po mbahen protesta që prej zgjedhjeve presidenciale të mbajtura muajin e kaluar.
“Ne po shohim përpjekje për të destabilizuar situatën në vend”, tha ai në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Këto deklarata ai i bëri përmes një video-mesazhi.
“Ndërhyrja në çështjet tona të brendshme, sanksionet dhe kufizimet e tjera ndaj Bjellorusisë do të kenë efekt të kundërt dhe nuk janë të dëmshme për askënd”, tha Makey.
Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Britania dhe Kanadaja pritet që së shpejti të vendosin sanksione ndaj Bjellorusisë, për shkak të shtypjes së dhunshme të protestave, që po mbahen për të kundërshtuar zgjedhjet presidenciale të 9 gushtit. Këto zgjedhje po vlerësohet se janë manipuluar, me qëllim që Alyesksandr Lukashenka të marrë një mandat të gjashtë.
Për shkak të presionit të madh nga Perëndimi, Lukashenka është kthyer kah Rusia fqinje për të gjetur mbështetje politike dhe ekonomike.
Lukashenka, që është në pushtet prej vitit 1994, u inaugurua në një ceremoni sekrete më 23 shtator, që nxitni anëtarët e vendeve të BE-së dhe SHBA-në që të lëshojnë deklarata ku thanë se nuk e njohin legjitimitetin e tij.
“Deklaratat me cinizëm janë bërë nga shumë kolegë tanë perëndimor, lidhur me ‘shqetësimet’ e tyre për sovranitetin dhe mirëqenien bjelloruse”, tha Makey në OKB.
“Në fakt, ato nuk janë asgjë tjetër përveç përpjekje për të sjellë kaos dhe anarki në vendin tonë”, tha ai.
SHBA-ja dhe BE-ja kanë shpeshtuar kontaktet e tyre me Svyatlana Tsikhanouskaya, ish-kandidaten opozitare për presidente, e cila pas zgjedhjeve ka ikur në Lituani. Ajo thotë se ka fituar në zgjedhjet e 9 gushtit.
Tsikhanouskaya u ka bërë thirrje bjellorusëve që të protestojnë për një “qëllim të ri, për zgjedhje të ndershme, që do të rezultonin në një inaugurim zyrtar dhe të ligjshëm”.
Qindra mijëra bjellorusë, për të shtatën javë me radhë po protestojnë, duke i bërë thirrje Lukashenkës që të largohet nga pushteti dhe të mbahen zgjedhje të reja. Policia ka arrestuar rreth 12,000 persona dhe ka pasur të dhëna se protestuesit janë rrahur dhe torturuar.
Ndërkaq, shumica e anëtarëve të Këshillit Koordinues, trup opozitar, që u ngrit për të lehtësuar dialogun për transferim paqësor të pushtetit, janë arrestuar ose janë detyruar të largohen nga vendi./ REL
The post Bjellorusia akuzon Perëndimin për nxitje të kaosit dhe anarkisë appeared first on Vizion Plus.