Aplikimet për azil në Europë ranë në nivelin më të ulët të një dekade pas mbylljes së kufijve për shkak të koronavirusit. Shifrat e Zyrës Europiane për Mbështetjen e Azilit, EASO, tregojnë se numri i kërkesave për azil u tkurr në 8,730 gjatë muajit prill, një rënie prej 86% krahasuar me shkurtin, kur regjistroheshin më shumë se 61,400 të tilla.

Blloku i mbylli kufijtë e jashtëm në mars dhe shumë prej 27 vendeve anëtare të tij e pezulluan regjistrimin e aplikimeve. “Është e qartë se qasja e aplikantëve të mundshëm për azil ka qenë tejet e kufizuar gjatë muajve të fundit”, tha për Reuters drejtoresha ekzekutive e EASO, Nina Gregori.

“Situata për këta njerëz ka qenë padyshim sfiduese. Covid 19 e rëndoi edhe më tepër gjendjen e atyre që i largohen dhunës dhe persekutimit”, shtoi ajo. Shumica e aplikimeve gjatë 2020-tës deri në muajin prill, kane qene nga shtetas sirianë, afganë, venezueljanë dhe kolumbianë.

Advertisement
google_ad_client = "ca-pub-9470492314070355"; google_ad_slot = "5632655076"; google_ad_width = 300; google_ad_height = 250; google_page_url ="http://www.zhaku.net/";

Këto vitet e fundit, është bërë më e vështirë për azilkërkuesit që të mbërrijnë në Europë. BE-ja i ka bllokuar rrugët e mëhershme tokësore të emigrantëve e ka siguruar dhe ndihmën e Libisë e Turqisë për t`i penguar atyre nisjen drejt vendeve europiane përmes detit.

Në prill, Italia tha se nuk do t’i lejonte anijet e emigrantëve të hyjnë në portet e saj pasi nuk konsiderohen të sigurta për shkak të pandemisë.