Në mes të konfliktit Ukrainë-Rusi, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka mbajtur një fjalim nga Shtëpia e Bardhë, ku deklaroi se SHBA është e përgatitur, pavarësisht gjithçkaje.
“Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura, pavarësisht se çfarë ndodh. Ne jemi të gatshëm me diplomaci, të angazhohemi në diplomaci me Rusinë, aleatët dhe partnerët tanë për të përmirësuar stabilitetin dhe sigurinë e tërë Evropës. Dhe ne jemi të gatshëm t’i përgjigjemi me vendosmëri sulmit rus për Ukrainën, i cili ende është shumë i mundshëm. Gjatë gjithë javëve dhe muajve të fundit kjo ka qenë qasja jonë dhe ashtu do të mbetet”, tha presidenti amerikan.
Rusia njoftoi më herët të martën se disa nga trupat e saj do të kthehen në bazë pas përfundimit të stërvitjeve të fundit, por theksoi se stërvitjet e mëdha ushtarake do të vijojnë.