Joe Biden mohoi edhe një herë spekulimet për tërheqjen e tij nga gara presidenciale në një tubim në Michigan.
Pavarësisht nga një numër në rritje ligjvënësish që kërkojnë që ai të tërheqë kandidaturën dhe shqetësimet për gjendjen e tij mendore, presidenti demokrat është zotuar të qëndrojë në garë.
“Çfarë do të bëjë Joe Biden? A do të qëndrojë ai në garë? Këtu është përgjigja ime: Unë jam kandidat dhe do të fitojmë”, tha ai duke iu drejtuar mbështetësve të tij në Detroit. “Ju premtoj se jam mirë,” shtoi 81-vjeçari demokrat pak më vonë nga një restorant në periferi të Detroit të Northville, duke iu përgjigjur kritikave për aftësinë e tij mendore për të udhëhequr SHBA-në.
Për të mposhtur Donald Trump në nëntor, Biden duhet të fitojë në Michigan.
Në aktivitetin parazgjedhor të djeshëm, presidenti amerikan sulmoi kundërshtarin e tij republikan, duke e quajtur atë një “kërcënim për kombin”.
Ai kritikoi edhe “Planin 2025”, programin qeveritar që ka vulën e së djathtës, megjithëse Trump përpiqet të distancohet prej tij pavarësisht se është hartuar nga bashkëpunëtorët e tij të ngushtë.
“Amerikanët duan një president, jo një diktator,” theksoi Biden, duke iu referuar deklaratës së Trump se ai do të bëhej diktator “për një ditë”.
Mbështetësit e presidentit vlerësuan në konferencën për shtyp njohuritë e tij për aktualitetin, veçanërisht ato ndërkombëtare./vizionplus.tv