Biden i kërkon Putinit që Rusia të godasë kriminelët kibernetikë

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Biden i kërkon Putinit që Rusia të godasë kriminelët kibernetikë

Presidenti Joe Biden i tha Presidentit Rus Vladimir Putin në një telefonatë të premten se ai duhet të “ndërmarrë veprime” kundër kriminelëve kibernetikë që veprojnë në Rusi dhe se Shtetet e Bashkuara gëzojnë të drejtën për të “mbrojtur popullin e tyre dhe infrastrukturën e jetike”, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Biseda telefonike mes dy udhëheqësve vjen më pak se një muaj nga takimi i tyre në Gjenevë, kur Presidenti Biden paralajmëroi kundër sulmeve të vazhdueshme kibernetike që vijnë nga Rusia ndaj bizneseve dhe infrastrukturës amerikane. Një sulm i ri kibenetik i lidhur me grupin REvil me qendër në Rusi, shkaktoi probleme të mëdha fundjavën e kaluar, duke prekur 1,500 biznese.

Shtëpia e Bardhë tha se “Presidenti Biden nënvizoi nevojën që Rusia të ndërmarrë veprime për t’i goditur grupet kibernetike që veprojnë në Rusi dhe theksoi se ai është i përkushtuar për vazhdimin e angazhimit për t’u përballur me kërcënimin e gjerë që paraqesin këto sulme”.

Presidenti Biden përsëriti se Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin çdo veprim të nevojshëm për të mbrojtur njerëzit dhe infrastrukturën e tyre jetike përballë kësaj sfide të vazhdueshme“, thuhej në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.

Advertisement

Biseda e fundit mes dy udhëheqësve botërorë pason një seri sulmesh ndaj infrastrukturës jetike dhe korporatave të mëdha çka po trajtohet nga administrata Biden si një problem urgjent që kërcënon sigurinë kombëtare.

Një sulm kibernetik në muajin maj ndaj një tubacioni të rëndësishëm në SHBA detyroi kompaninë të ndalë përkohësisht punën. Gazsjellësi Colonial i pagoi një shumë prej rreth 4.4 milionë dollarëve hakerave, kërkuar prej tyre si kusht për të çliruar veprimtarinë e kompanisë. Autoritetet amerikane arritën më pas të rimerrnin një pjesë të madhe të kësaj shume falë një operacioni të zhvilluar muajin e kaluar.

Hakerët arritën gjithashtu t’i zhvasin një shumë prej 11 milionë dollarësh kompanisë JBS SA, përpunuesit më të madh të mishit në botë./ VOA

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy