Vaksina, e prodhuar në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit, është e treta që miratohet në bllokun evropian.
Shtetet individuale do të mund të vendosin vetë se kë do të vaksinojnë në radhë të parë pasi të miratohen vaksinat.
Më herët gjatë kësaj jave, Komisioni për vaksina i Gjermanisë, ka thënë se nuk rekomandon dhënien e kësaj vaksine për personat mbi moshën 65-vjeçare.
Në arsyetimin që ka bërë, ky komision ka përmendur mungesën e të dhënave rreth efektit që ka kjo vaksinë për këtë grup njerëzish.
Mbretëria e Bashkuar ka përdorur vaksinën e kompanisë AstraZeneca në programin e saj për imunizim masiv, meqë zyrtarët për shëndet publik në këtë shtet besojnë se vaksina është e sigurt dhe ofron “nivele të larta të mbrojtjes”.
Teksa ka konfirmuar vaksinën, Agjencia Evropiane e Ilaçeve, ka thënë se shumica e pjesëmarrësve në studime mbi testimet kanë qenë të moshave 18-55 vjeçare.
Aty është përmendur se ende nuk ka të dhëna të mjaftueshme sesi funksionon vaksina te personat më të moshuar, mirëpo pritet të ketë mbrojtje, “marrë parasysh se përgjigjja imunitare është parë te kjo kategori, bazuar në përvojat me vaksina tjera”.
Vendimi i Agjencisë Evropiane të Ilaçeve vjen në kohën kur BE-ja ka shprehur pakënaqësi publike ndaj kompanisë AstraZeneca, duke thënë se kjo e fundit nuk po mban premtimet e bëra.
Komisioni Evropian madje ka publikuar edhe kontratën me kompaninë britaniko-suedeze, duke shpresuar se do të argumentojë shkeljen. Javën e kaluar AstraZeneca ka thënë se do të zvogëlojë furnizimet me vaksina, për shkak të problemeve në një prej fabrikave që ka në BE./ Rel