Plani i qeverisë britanike, i propozuar nga Sekretarja e Punëve të Brendshme, Suella Braverman, për të dërguar në Ruanda azilkërkuesit, është konsideruar si i paligjshëm nga Gjykata Mbretërore e Apelit në Londër.
Vendimi i marrë nga tre anëtarët e kësaj gjykate pason një seancë dëgjimore katër ditore, të mbajtur në prill pas vendimit të Gjykatës së Lartë, e cila u shpreh pro dërgimit të azilkërkuesve në Afrikë në fillim të këtij viti.
Gjyqtarët argumentuan sot se Ruanda nuk është një vend i sigurt dhe se autoritetet britanike nuk do të ishin në gjendje t’iu japin emigrantëve siguri në një vend të tretë.
Projektligji për emigracionin që po kalon në parlament parashikon që të gjithë azilkërkuesit që mbërrijnë në Britaninë e Madhe përmes rrugëve ilegale, të dërgohen në Ruanda edhe pa dëshirën e tyre.
Ky propozim i Sekretares së Brendshme, hasi një sërë kundërshtish nga agjencitë e OKB për emigracionin, organizata të ndryshme të të drejtave të njeriut, si dhe nga një grup i madh azilantësh.
E njëjta çështje nxiti një lumë kritikash ndaj vetë Braverman edhe nga kundërshtarët e saj politikë, të cilët në jo pak raste kërkuan edhe dorëheqjen e saj.