Rusia dërgoi të shtunën dy bombardues me aftësi bërthamore me rreze të gjatë veprimi për patrullim në hapësirën ajrore të Bjellorusisë, mes tensioneve lidhur me Ukrainën.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se dy bombarduesit Tu-22M3 bënë një provë me forcat ajrore dhe mbrojtjen ajrore bjelloruse gjatë një misioni që zgjati katër orë. Bjellorusia ndan një kufi me Ukrainën në veri.
Ndërkohë Kremlini ka zhvendosur trupat nga Siberia dhe Lindja e Largët në Bjellorusi për stërvitje të përbashkëta gjithëpërfshirëse. Ky dislokim i rrit përmasat e grumbullimit ushtarak rus pranë Ukrainës, që ka shkaktuar shqetësim tek perëndimi për një pushtim të mundshëm.
Ushtria ruse ka ndërmarrë një sërë stërvitjesh ushtarake nga Arktiku deri në Detin e Zi.
Dislokimi i trupave ruse në Bjellorusi ka nxitur shqetësimin e Perëndimit se Moska mund të jetë duke organizuar një sulm ndaj Ukrainës nga veriu. Kryeqyteti ukrainas Kievi është vetëm 75 kilometra larg kufirit me Bjellorusinë.
Muajt e fundit, Rusia ka kryer një sërë stërvitjesh të përbashkëta me Bjellorusinë dhe ka dërguar në mënyrë të përsëritur bombarduesit e saj me rreze të gjatë me aftësi bërthamore për të patrulluar hapësirën ajrore të Bjellorusisë, e cila kufizohet nga vendet anëtare të NATO-s, Polonia, Lituania dhe Letonia.
Udhëheqësi autoritar i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko, i cili gjithnjë e më shumë po gjen mbështetje politike dhe financiare tek Kremlinit mes sanksioneve të rënda perëndimore për shkak të shtypjes së protestave të brendshme, ka bërë thirrje për lidhje më të ngushta ushatarake me Moskën dhe së fundmi ka ofruar që Rusia të vendosë armët bërthamore në territorin e Bjellorusisë.
Të shtunën, gazeta gjermane Bild njoftonte se Rusia është e gatshme të sulmojë Ukrainën nga disa drejtime, të pushtojë qytetet e mëdha dhe të vendosë një qeveri kukull. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova e hodhi poshtë prerazi një gjë të tillë.
Ndërsa shtohet frika për luftë, autoritetet ukrainase kanë filluar stërvitje mes civilëve në mënyrë që të përgatiten për një pushtim të mundshëm rus.