Polonia akuzoi të premten Bjellorusinë se ka rikthyer në kufi me kamionë me qindra imigrantë dhe i ka nxitur ata të kalojnë kufirin ilegalisht. Njoftimi vjen vetëm disa orë pasi autoritetet bjelloruse nisën të boshatisin disa nga kampet në kufi, duke i futur imigrantët në disa magazina aty pranë.

Akuza nga autoritetet polake sugjeron se ai që u duk si ndryshim i qëndrimit nga Minsku, nuk e ka zgjidhur krizën, e cila ka krijuar përplasje të mëdha me Bashkimin Evropian.

Të enjten autoritetet bjelloruse boshatisën kampet e improvizuara të ngritura pranë kufirit me Poloninë. Me qindra irakianë u dërguan gjithashtu në vendin e tyre, fluturimi i parë për riatdhesim në disa muaj kryer nga Bjellorusia.

Por zëdhënësja e Gardës Kufitare polake, Anna Michalska tha se të enjten në mbrëmje, autoritetet bjelloruse nisën të kthejnë me kamionë qindra imigrantë dhe i detyronin ata të kalonin kufirin.

Advertisement
google_ad_client = "ca-pub-9470492314070355"; google_ad_slot = "5632655076"; google_ad_width = 300; google_ad_height = 250; google_page_url ="http://www.zhaku.net/";

Ajo tha se ndërsa migrantët përpiqeshin të kalonin kufirin, trupat bjelloruse verbonin rojet polake me lazer.

Qeveritë evropiane akuzojnë Bjellorusinë se ka sjellë me mijëra persona nga Lindja e Mesme dhe i ka nxitur ata të kalojnë kufirin ilegalisht. Rreth 10 emigrantë besohet të kenë vdekur për shkak të temperaturave të ulta. Bjellorusia mohon ta ketë nxitur krizën qëllimisht./VOA