Kompania anglo-suedeze e prodhimit të vaksinave, Astrazeneca pas paralajmërimeve dhe kritikave nga BE, ka vendosur të shpërndajë 9 milionë doza shtesë në tremujorin e parë ose 40 milion në total, krahasuar me ofertën e javës së kaluar. Për më tepër, dorëzimet do të fillojnë një javë më herët sesa ishte planifikuar.
Lajmin e bëri të ditur presidentja e Komisionit Europian, Ursula von Der Leyen, e cila gjithashtu deklaroi se kompania do të zgjerojë kapacitetin e saj prodhues në Europë.
Ndërkohë, unioni do të sigurojë nga kompanitë Pfizer dhe BioNtech, 75 milionë doza shtesë në tremujorin e dytë dhe deri në 600 milion në total për vitin 2021.
Në përgjigje të varianteve të reja të virusit që mund të përkeqësojnë edhe më shumë krizën e shëndetit publik, Komisioni do të krijojë një Autoritet të BE-së për Gatishmërinë dhe Përgjigjen ndaj Emergjencave Shëndetësore, për të dhënë një qasje më të strukturuar ndaj pandemisë, transmeton Vizion Plus.
Presidentja Von der Leyen mbajti një videokonferencë me shefat ekzekutivë të kompanive farmaceutike me të cilat Komisioni Europian ka nënshkruar Marrëveshjet e avancuara të blerjes, BioNTech / Pfizer, Moderna, AstraZeneca, Johnson & Johnson, Curevac dhe Sanofi. Sfida kryesore që u adresua lidhej me kapacitetet e prodhimit të vaksinave.