Bizneset në të gjithë Shtetet e Bashkuara kanë filluar të rihapen, por 2.4 milionë njerëz të tjerë aplikuan javën e kaluar për të marrë përfitimet e papunësisë, njoftoi të enjten Departamenti i Punës, pasi pandemia e koronavirusit vazhdon të dëmtojë ekonominë më të madhe në botë.
Gjatë nëntë javëve të fundit, 38.6 milionë njerëz të pushuar nga puna aplikuan për të marrë përfitime papunësisë, fuqia punëtore amerikane përbëhet nga më shumë se 164 milionë punonjës.
Por totali më i ri javor ishte numri më i vogël që kur bizneset filluan të mbyllen në mes të marsit pasi guvernatorët e shteteve lëshuan urdhra për mbyllje të detyrueshëm të dyqaneve, bizneseve dhe qendrave të tjera.
Tani, 50 guvernatorë të shteteve kanë filluar të lehtësojnë kufizimet dhe po lejojnë rihapjen e disa bizneseve, megjithëse bazuar në disa kushte që ndryshojnë nga shteti në shtet.
Një numër shtetesh kanë lënë në fuqi masën e distancimit fizik prej të paktën dy metrash midis njerëzve në dyqane dhe disa dyqane të mëdha të shitjes me pakicë u kërkojnë punonjësve dhe klientëve të tyre të përdorin maska. Disa guvernatorë kanë kërkuar që restorantet të operojnë me kapacitet të përgjysmuar.
Por në shtetet e tjera, kufizimet janë hequr në mënyrë të konsiderueshme dhe turma njerëzish u shfaqën nëpër dyqane dhe në plazhe, ndërsa Shtetet e Bashkuar përgatiten të presin festën e parë të verës të hënën, Ditën e të Rënëve.
Megjithatë, paralajmërimet ekonomike janë akoma negative.
Kryetari i Rezervës Federale Jerome Powell dhe Sekretari i Thesarit Steven Mnuchin paralajmëruan në një seancë dëgjimore në Kongres këtë javë se niveli i papunësisë do të mbetet i lartë deri në qershor. Por ata shprehen shpresën se paketa financiare prej më shumë se 2 trilionë dollarësh e miratuar nga Kongresi dhe Presidenti Donald Trump për të ndihmuar bizneset dhe shumicën e amerikanëve do të fillojë të nxisë rritjen e ekonomisë në gjysmën e dytë të vitit.
Megjithatë, disa ekonomistë thonë se efekti i pandemisë së koronavirusit do të zgjasë edhe më tej në ekonominë amerikane. Zyra e Kongresit për Buxhetin parashikon një normë akoma të lartë të papunësisë, prej 9.5 për qind deri në fund të vitit 2021.
Në prill, shkalla zyrtare e papunësisë ishte 14.7 për qind, por zyrtarët kryesorë ekonomikë të administratës së Presidentit Trump thonë se ka të ngjarë të që ajo të jetë më e lartë dhe mund t’i afrohet shkallës 25 për qind në javët e ardhshme. Sipas qeverisë, ekonomia amerikane shënoi një rënie prej 4,8 për qind në tremujorin e parë, por kjo ndodhi para se të bëheshin të qarta efektet e plota të pandemisë.
Presidenti Trump ka thënë se demokratët dëshirojnë dështimin e ekonmisë amerikane në mënyrë që të rriten shanset e ish-Nënpresidentit demokrat Joe Biden për të fituar zgjedhjet presidenciale të nëntorit.
“Sa më pak të suksesshëm të jemi në rihapjen, aq më mirë janë ata, ndoshta për zgjedhjet”, tha presidenti. “Ata do të donin që vendi ynë të dështonte, dhe ju e dini se çfarë do të thotë kjo, sepse pjesë e dështimit është vdekja.”
Kulmi i aplikimeve për të marrë përfitimet e papunësisë mund të ketë arritur në fund të marsit me 6.9 milionë aplikacione.
Ritmi i përjavshëm i kërkesave është zvogëluar në secilën nga nëntë javët e fundit që nga ajo kohë, por miliona aplikimet për të marrë përfitimet e papunësisë janë ende të pashembullta në shumë dekada të historisë ekonomike të Shteteve të Bashkuara, që nga koha e Depresionit të Madh të viteve 1930. Numri i aplikimeve për përfitimet e papunësisë ka tejkaluar me një shifër të madhe ato të bëra gjatë recesionit të vitit 2008.