Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka reaguar pas arrestimit të Leonard Luzit në Spanjë. 47-vjeçari u arrestua pas bashkëpunimit të autoriteteve shqiptare me ato spanjolle.
Ministri Balla shkruan se bashkëpunimi me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit është është forma më e mirë për të goditur krimin.
Taulant Balla: Bashkëpunimi me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit për të konsoliduar revanshin e sundimit të ligjit kundër krimit të organizuar si dhe hetimet profesionale për zbardhjen e ngjarjeve të rënda kriminale janë forma më e mirë për të goditur krimin. Vijojnë rezultatet e përditshme në operacionet e përbashkëta për kapjen e shtetasve në kërkim dhe në luftën kundër krimit të organizuar. Përgëzime Interpol Tirana për tre operacionet e rradhës të zhvilluara me homologët spanjollë dhe italianë, për kapjen dhe vënien para drejtësisë të tre shtetasve.
Arrestimi i Leonard Luzit
Një vit pas atentatit që iu bë Inez Hajrullas, një personazh i njohur i krimit në Vlorë, policia spanjolle në bashkëpunim me Interpol Tiranën ka vënë në pranga porositësin dhe organizatorin e ngjarjes kriminale, Leonard Luzi.
47-vjeçari pritet të ekstradohet në Shqipëri, pasi SPAK e akuzon si porositës të atentatit të planifikuar ndaj Hajrullës, por dhe ndaj Ervis Matodashajt në gusht 2023, pas konflikteve për lojërat e fatit.
Leonard Luzi kishte organizuar vrasjen, por atentati u parandalua nga policia që arrestoi vrasësin me pagesë, Amarildo Nikolli.
Gjykata ka caktuar ndaj Leonard Luzit masën “arrest në burg” për disa vepra penale./vizionplus.tv