
Një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për një armëpushim humanitar nuk ka kaluar. Propozimi, i hartuar nga Rusia, mori pesë vota pro, më pak se nëntë të kërkuara.
Katër vota ishin kundër dhe gjashtë, mes tyre edhe Shqipëria, abstenime për votimin e draftit, i cili gjithashtu bënte thirrje për lirimin e pengjeve, aksesin e ndihmës humanitare dhe evakuimin e sigurt të civilëve.
“Në mbledhjen e djeshme të KS, Shqipëria abstenoi sa i përket projekt-rezolutës së paraqitur nga Rusia sepse teksti nuk arriti të trajtonte siç duhet të gjitha çështjet kritike, duke përfshirë dënimin e sulmeve terroriste nga Hamasi.
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara duhet të bëhet bashkë në dënimin e terrorizmit, në adresimin e shumë prej nevojave urgjente dhe kritike në terren, duke përfshirë situatën e rëndë humanitare në Gaza dhe mbrojtjen e civilëve kudo”.