Azerbajxhani ka rënë dakord të zgjasë një afat për Armeninë për t’u tërhequr nga një rajon, si pjesë e një marrëveshje paqeje që i dha fund një lufte gjashtë-javore mbi rajonin e diskutueshëm Nagorno Karabakut.
“Azerbajxhani ra dakord të zgjasë afatin për tërheqjen nga Kalbacar të forcave të armatosura armene dhe të kolonëve të paligjshëm armenë deri më 25 nëntor”, tha Hikmat Hajiyev, një ndihmës i presidentit azerbajxhanas, Ilham Aliyev, në një konferencë shtypi në Baku më 15 nëntor.
Ai tha se Aliyev kishte rënë dakord mbi “baza humanitare” për të miratuar një kërkesë armene të shtyrjes së afatit, pas ndërmjetësimit nga presidenti rus, Vladimir Putin.
Armenia do të duhej të përfundonte tërheqjen e saj nga Kalbacar më 15 nëntor.
Hajiyev tha se orari për tërheqjen armene nga rajoni Aghdam – më 20 nëntor – dhe rrethi Lachin deri më 1 dhjetor, mbeti i pandryshuar.
Banorët armenë të rajonit Kalbacar në Azerbajxhan (i njohur si Karvaçar në armenisht) filluan të linin shtëpitë e tyre që kur u nënshkrua marrëveshja e paqes më 10 nëntor. Disa prej tyre u vunë flakën shtëpive, njoftoi Shërbimi Armen i Radios Evropa e Lirë.
Kalbacar ishte populluar kryesisht nga azerbajxhanët etnikë, para se ata të dëboheshin nga armenët në luftën e viteve 1990 pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, dhe shumica e shtëpive që u braktisën u përkisnin më parë azerbajxhanasve.
Përpara se të transferoheshin, armenët shkuan në manastirin e Dadivankit për një vizitë të fundit. Paqeruajtësit rusë u pozicionuan pranë manastirit më 14 nëntor.