Edhe Andi Lila, ish futbollisti i Kombëtares, tashmë kryetar i Sindikatës së Futbollistëve, ka bërë një status për prishjen e “Teatrit Kombëtar”.
“Çfarë keqardhje e madhe ishte e diela e djeshme!
I kam parë me admirim artistët tanë, ku në platën e ish-Teatrit Kombëtar , në rolet brilante që kanë luajtur të veshur me kostumet e personazheve janë fyer, janë rrahur, janë burgosur bile edhe vrarë.
Por në fund të shfaqjeve, nën duartrokitjet tona i kam parë të buzëqeshur duke u përulur para nesh.
Ndërsa dje, me duket se pashë aktin e fundit të një tragjedie ku artisët përsëri u fyen, u rrahën dhe u arrestuan.
Por këtë radhë nuk ishin në ndonjë rol artistik dhe me veshje personazhi por ishin Neritani, Edmondi, Mediu e shumë e shumë të tjerë me veshjet e tyre të përditshme, por me pasionin dhe ndjenjën e përhereshme.
Akoma nuk arrij ta besoj se ajo që ndodhi ishte e vërtetë.
Siç nuk arrij të kuptoj përse ishte kjo urgjencë për prishjen e Tetarit Kombëtar.
Nuk arrij të kuptoj sesi policia e një shteti demokratik vepron natën, tinëzisht, dhe në mënyrë brutale ndaj njerëzve të artit.
Të nderuar miq.
Nuk marr përsipër të jap mendim se Teatri Kombetar duhej të prishej apo jo pasi nuk i kam aftësitë e duhura profesionale.
Por për kohën dhe mënyrën sesi u veprua për prishjen e tij, UNË SOT JAM ME ARTISTËT.
Përse duhej të prishej natën teatri ?
Nëse strukturat e shtetit janë të bindur në drejtësinë e vendimit të tyre dhe se ky vendim është në interesin publik, atëherë duhet të veprojnë ditën, pa frikë se po bëjnë veprime që shkelin ligjin, siç veprohet në të gjithë botën.
Përse ishte i nevojshëm gjithë ai brutalitet policor ndaj artistëve ?
Kur shteti nuk arrin të gjejë gjuhën e komunikimit me pjesën elitare të vendit por përdor policinë ndaj saj, kjo nuk tregon gjë tjetër veçse dobësinë intelektuale të tij.
Ndoshta për këtë arsye nuk u morën në konsideratë edhe sugjerimet e Ambasadave më të rendësishme në Tiranë të cilat orientonin palët drejt dialogut.
Nëse politika qeverisëse nuk arrin të dialogojë dhe të gjejë kompromisin me artistët, me kë mund te dialogojë ?
Përse kjo urgjencë për prishjen e Teatrit Kombëtar?
A thua se në këtë situatë pandemie interesi publik më i lartë ishte tek prishja e Teatrit Kombëtar.
Sot unë jam me artistët sepse sot më takon mua të përulem përpara sakrificës së tyre”, shkruan Lila. (TemA)