Nga Andi Bushati
Kush e ka kthyer parlamentin në estradë? Sa herë mes bisedash të përditshme shtrohet kjo pyetje, dikush do të tregojë me gisht atë deputetin që thotë se dashuron NATO-n, pasi që i vogël ka mbajtur sahat “Atlantik”, një tjetër do nominojë atë flokëkërleshurën që nuk shqipton dot fjalën korporatë, ndërsa një i tretë mund të vërë bast për atë jeniçerin që hidhet në sulm për të drejtat e pensionistëve.
Në fakt, sa do humor të shkaktojnë këta të ngratë, të gjithë sëbashku nuk janë në gjendje të tejkalojnë atë që bën sikur i trajton denjësisht. Sepse siç ka shkruar këtu e gjysëm shekulli më parë, Milan Kundera, te “Dashuri qesharake”: “të marrësh seriozisht gjëra të cilave u mungon krejtësisht serioziteti, është të humbasësh seriozitetin tënd”.
Pikërishtë këtë bëri sot Edi Rama kur mbajti në parlament një fjalim të gjatë, sikur donte të gjente një pikë takimi mes opozitës reale dhe asaj parlamentare. Ai ofronte formula kompromisi, i ‘përgjërohej” lolove të kuvendit për të pranuar komisionet bipartizane, në këmbim të listave të hapura, betohej se nuk i kishte aq vota sa duheshin për të miratuar reformën e re elektorale.
Por, këtij cirku me personazh kryesor një klloun të plakur, fatkeqësisht nuk i beson askush.
Prej afro një viti e gjysëm, që kur 40 deputetë nga fundi i listave të PD-LSI-së (nga 122 që ka kuvendi sot), shkelën në atë parlament, ata kanë votuar gjithnjë sipas dëshirave të Ramës. Mes tyre gjenden figura si Aurora Mara, Bojaxhiu Rrushi, që e kanë përkrahur mbi 25 herë Rilindjen.
Po, cilindo që qëmton një kriter më të besueshëm dhe më të paanshëm, mund ti referohet kartonave që ka ngritur banda e opozitës së re, për ato çështje që më pas Komisioni i Venecias do t’a fshikullonte rëndë këtë regjim.
Pro komisionit për shkarkimin e presidentit kanë qenë edhe muskëtjerët Muslim Murrizi e Korab Lita.
Për zgjedhjen e anëtareve të reja të Gjykatës Kushtetuese të cilën Venecia e konsideroi në mospërputhje me ligjin themeltar të shtetit, Rama mblodhi plot 105 kartonë jeshilë.
Për paketën skandaloze ‘anti-shpifje”, që është demaskauar nga të gjitha institucionet perendimore, votuan plot 9 opozitarë të rinj, mes të cilve shkëlqen edhe Edmond Stojku që ka marrë flamurin e zgjedhjeve pa koalicione.
Të gjitha votimet e këtye kohëve kanë treguar se, në rastin e vet më të keq, Edi Rama i ka të sigurtë rreth 10 -15 mercenarë që të ngrejnë dorën pro tij.
Pikërisht me këtë bandë ai hiqej sikur donte të negocionte sot në parlament.
Dhe pikërisht këtu dukej si klloun.
Pasi gjihkush në Shqipëri e di se ai ka aq shumë pushtet sa mund të bëjë ç’të dojë me koalicionet apo listat e hapura, pasi të gjithë janë të bindur se po si leverdisi, ai e ka në dorë t’a grisë marrëveshjen e tryezës politike, por askush, ama askush, nuk është aq idiot sa të besojë se për të arritur diçka, Ramës i duhet të bëjë pazar me Gjuzin, Majlinda Halilajn apo Jenisherin. Pikërisht kjo mendjelehtësi, për tu dukur sikur mer seriozisht personazhe aspak serioze, e shndërroi atë sot në qesharak. Dhe pikërisht kjo i jep përgjigje edhe pyetjes që u shtrua në fillim të këtij shkrimi.