ANALIZA: Çfarë do të sjellë rënia e Afganistanit për Lindjen e Mesme?

Pinterest LinkedIn Tumblr +
ANALIZA: Çfarë do të sjellë rënia e Afganistanit për Lindjen e Mesme?

Nga Tony Walker

Gjatë shekullit XIX, termi “Loja e Madhe” përdorej për të përshkruar konkurrencën për pushtet dhe ndikim në Afganistan, dhe territoret fqinje të Azisë Qendrore dhe Jugore, midis perandorive britanike dhe asaj ruse. Asnjëra palë nuk dominonte në atë që u bë e njohur si “varreza e perandorive”.

Dy shekuj më vonë, një superfuqie sikurse është SHBA-ja iu kujtua një realitet i ngjashëm. Dështimi në Afganistan, vend në të cilin një ushtri afgane e përbërë nga 300 mijë burra të stërvitur dhe armatosur nga amerikanët u mposht brenda pak orësh, shërben si një kujtesë e limiteve të fuqisë amerikane në Lindjen e Mesme dhe më gjerë.

Presidenti amerikan Joe Biden, mund të përballet me kritika të ashpra për një tërheqje katastrofike. Por në këtë dështim ka shumë faje për t’u ndarë, që nga vendimi fillestar për të “ndërtuar kombin” në një vend që i ka rezistuar prej mijëra vjetësh ndërhyrjes së jashtme.

Advertisement

Pas rënies së Kabulit dhe tërheqjes së nxituar të SHBA-së nga një vend ku kishte harxhuar 1 trilion dollarë amerikanë, ngrihet pyetja:çfarë e pret tani Lindjen e Mesme? Kjo është një pyetje që shtrohet nga Maroku në perëndim deri në Pakistan në lindje, nga Turqia në veri deri në Gjirin Persik dhe përtej Bririt të Afrikës në jug.

Çdo vend i Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore, do të preket në një farë mënyre nga dështimi i autoritetit amerikan në Afganistan, që ishte lufta më e gjatë në historinë e SHBA-së. Dështimi i Amerikës, ndahet edhe nga aleatët e saj në NATO, dhe vende si Australia.

Në mënyrë të pashmangshme, tani po bëhen krahasime midis tërheqjes në panik e sipër të Amerikës nga Kabuli, dhe skenave të ngjashme në Saigon të Vietnamit plot 46 vjet më parë. Në disa aspekte, situata në Afganistan është më shqetësuese, pasi një pjesë e mirë e Lindjes së Mesme rrezikon të zhytet në kaos. Humbja e ushtrisë së Vietnamit të Jugut në vitin 1975, mund të ketë ndikuar në zhvillimet tek shtetet fqinje të Indo-Kinës. Por pasojat negative ishin kryesisht të kufizuara.

Afganistani është një rast i ndryshëm, në kuptimin që edhe pse besueshmëria dhe vetëbesimi i Amerikës në Vietnam u godit, ajo mbeti forca ushtarake dominuese në Paqësorin Perëndimor para ngritjes së Kinës. Në Lindjen e Mesme, një Uashington me ndikim të zvogëluar, do të zbulojë se autoriteti i tij do të vihet shumë në dyshim.

Advertisement

Dhe kjo gjë ndodh në një kohë kur Kina dhe Rusia po e testojnë vendosmërinë e Amerikës në nivel global. Në këtë rajon, Turqia dhe Irani po synojnë tashmë të mbushin një boshllëk të ekspozuar nga dështimi amerikan në Afganistan. Pekini dhe Moska, kanë për arsyet e tyre interes mbi të ardhmen e Afganistanit.

Për Kinën, ky interes shkon përtej afërsisë gjeografike, ndërsa për Rusinë përbën një shqetësim historik ekstremizmi afgan që infekton popullatat e veta myslimane dhe ato të shteteve kombëtare në periferi të saj. Kohët e fundit, Kina ka kultivuar raporte të ngushta me udhëheqësit talebanë.

Muajin e kaluar ministri i saj i Jashtëm Wang Yi, zhvilloi një takim me shefin politik të talebanëve afganë Mullah Abdul Ghani Barada. Pastaj është Pakistani, që i ka mbështetur fshehurazi apo haptazi talebanët përgjatë viteve të fundit. Islamabadi do të synojë të shfrytëzojë rastin për të marrë një rol më të rëndësishëm rajonal.

Po cilat do të jenë pasojat kryesore në Lindjen e Mesme? A do të lejohen Al-Kaeda dhe Shtetit Islamik të rivendosen në një Afganistan të kontrolluar nga talebanët? A do të rishfaqen talebanët si sponsorë të terrorizmit? A do të vazhdojnë ata ta lejojnë Afganistanin të përdoret si një kopsht gjigant për kultivimin e opiumit?

Advertisement

Nga perspektiva e Amerikës, largimi nga Afganistani i jep më shumë hapësirë për t’u fokusuar tek marrëveshja bërthamore me Iranin, si pjesa kryesore e punëve të papërfunduara në Lindjes së Mesme. Por marrëdhënia e Iranit me talebanët ka qenë e shpeshherë e trazuar, për shkak të keqtrajtimit të popullatës shiite të Afganistanit.

Irani shiit dhe talebanët fundamentalistë sunitë nuk janë partnerë natyralë. Zhvillimet e fundit në Afganistan do të tërheqin vëmendjen e shteteve të Gjirit. Katari siguroi një strehë diplomatike për talebanët gjatë bisedimeve të paqes me qeverinë e mundur Ghani.

Arabia Saudite do të shqetësohet nga zhvillimet e ditëve të fundit, sepse minimi i autoritetit amerikan në rajon nuk është në interesin e Riadit. Por sauditët kanë lidhjet e tyre të vjetra me talebanët. Në politikën e jashtme të Arabisë Saudite, Afganistani nuk është një lojë me shumën zero.

Në përgjithësi, goditja e pozitës amerikane në rajon do të jetë shqetësuese për aleatët e saj të moderuar arabë. Këtu përfshihet Egjipti dhe Jordania. Por si në Irak ashtu edhe në pjesë të Sirisë ku SHBA-ja ka një prani ushtarake, largimi amerikan nga Kabuli do të jetë një zhvillim shqetësues.

Advertisement

Rritja e paqëndrueshmërisë në Lindjen e Mesme, nuk duket të jetë as në avantazhin e Izraelit. Në fazën që do të pasojë, Amerika do të tërhiqet pa dyshim nga të gjitha, përveç angazhimeve të saj më emergjente në Lindjen e Mesme.

Kjo do të jetë një periudhë kur ajo do të reflektojë mbi mësimet që mund të nxirren nga përvoja e dhimbshme e Afganistanit. Një leksion që duhet të jetë kryesor për Amerikën dhe aleatët e saj: lufta kundër “shteteve të dështuara”, është e humbur që në krye të herës. / “The Conversation”

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy