ANALIZA: As rroga dhe as ushqime, emigrantët shqiptarë në Itali në mëshirë të fatit

Pinterest LinkedIn Tumblr +
ANALIZA: As rroga dhe as ushqime, emigrantët shqiptarë në Itali në mëshirë të fatit

“Po bëj tre muaj pa punë dhe pa ndihmë ekonomike”. Orest H emigroi drejt Italisë në vit më parë, si punëtor sezonal në fermat siçiliane. Duke qënë se mbeti i kënaqur me pagesën, por edhe punën, 22 vjeçari vendosi të qëndronte duke shkelur afatin tre mujor.

Ai nuk pranoi të kthehej as kur qeveria shqiptare riatdhesoi shqiptarët e mbetur jashtë kufijve në mes të prillit.

“Po të kthehesha nuk do kisha mundësi të vija më këtu”, i thotë ai Gazetës Si. Por muajt që pasuan e bënë shumë të vështirë jetesën në Itali, jo vetëm për të, por të gjithë shqiptarët që jetojnë dhe punojnë pa dokumente në vendin fqinj.

Duke qënë se janë të padeklaruar, ata janë lënë në mëshirë të fatit nga qeveria italiane, duke mos marrë as ndihma financiare dhe as pagat e shlyera nga autoritetet.

Advertisement

Rexhino D një i ri shqiptar që jeton në Brindisi, harxhoi të gjitha kursimet e mbledhura për t’i mbijetuar pandemisë.

“Puna në ndërtim u mbyll ndër të parat”, i thotë ai Gazetës. “Por nuk kemi pasur tolerime as për qiranë dhe as për faturat. I kemi paguar një më një. Shokët e mi morën 600 euro çdo muaj nga shteti dhe nuk e ndjenë aq shumë. Por mua nuk më kanë dalë akoma letrat dhe nuk më ka futur akoma me sigurime pronari”, i tregon ai gazetës Si. 26 vjeçari rrëfen se e ka përjetuar shumë edhe izolimin, pasi ka qëndruar vetëm, larg familjes në Tiranë por edhe larg miqve në Brindisi. Izolimi nuk ishte i lehtë as për Orestin, i cili u detyrua t’i kërkonte ndihmë financiare familjes së tij në Shqipëri, për të mbijetuar.

“Të gjithëve na ra si bombë kur u mbyll puna”, tregon ai. “Virusi këtu (në Siçili) nuk ishte shumë i fuqishëm, por gjithçka ishte mbyllur. Shumë italianë morën ushqime falas nga shteti, por duhet të kesh dokmunente italiane ose lejeqendrim. Po të ishte për lekët që më dërguan të shtëpisë nuk e di a do e kisha kaluar.

Punëtorët e padeklaruar në vendin fqinj u detyruan t’i drejtoheshin bankave ushqimore për të mbijetuar. Pavarësisht se është e paligjshme, puna e padeklaruar është e zakonshme në Itali, me mbi tre milion njerëz që nuk marrin sigurime.

Advertisement

Por, as Rexhino dhe as Oresti, edhe pse janë të padeklaruar, nuk mund t’u drejtohen bankave ushqimore dhe as të kërkojnë ndihmë nga shteti, sepse nuk figurojnë si shtetas italianë. Pandemia i ka lënë ata dhe mijëra shqiptarë të tjerë që ndodhen në të njëjtat kushte, në luftë për mbijetesë, duke mos marrë as paga dhe as ushqime

“Kam punuar vetëm tre ditë në tre muaj”, tregon Rexhino. “Edhe kur menduam se do të riktheheshim në punë, pronari u infektua me koronavirus, jo një herë, por dy herë”, i thotë ai Gazetës. “Fillova punë para një jave, por nuk i dihet kur do marr pagesën e parë”, thekson ai.

Sa shqiptarë të paligjshëm ka në Itali?

Ashtu si Oresti, edhe shumë të rinj shqiptarë janë drejtuar çdo vit drejt Italisë në kërkim të punësimit dhe mundësive më të mëdha ekonomike, duke përfituar edhe nga sezoni turistik në vendin fqinj, i cili ofron mundësi të mëdha punësimi.

Advertisement

Numri i emigrantëve shqiptarë që kanë qëndruar në mënyrë ilegale në Italinë fqinje u rrit ndjeshëm përgjatë vitit 2018 dhe 2019, duke bërë që vendi ynë të renditet në vendin e dytë pas Marokut për sa i përket numrit të emigracionit.

Duke qënë se qendrojnë në mënyrë të paligjshme duke kaluar afatin tre mujor të qendrimit në vendin fqinj, ata punojnë në të zezë dhe shpesh herë më rroga më të ulëta Në krahasim me një vit më parë, numri i emigrantëve të paligjshëm u rrit me gati 30 për qind, nga 2330 emigrantë të paligjshëm në vitin 2017 në mbi 4000 në 2019. Por sa prej tyre arrijnë të punojnë në mënyrë të rregullt?

Sipas Denis Osmani, një i ri shqiptar që punon si kuzhinier në Milano dhe jeton në Itali që në 2005-ën, emigrantët shqiptarë atje përgjithësisht kërkojnë të bëjnë një jetë të rregullt dhe të bëhen pjesë e jetës sociale në vendin fqinj. Ai thotë se qytetarët e pajisur me dokumente janë ndihmuar po aq sa italianët.

“Nuk kam punuar fare gjatë karantinës, se të gjitha restorantet u mbyllën ose punonin vetëm me ‘delivery’. Por dhe une dhe im at kemi marrë gjysmën e rrogës dhe cëqe që i dorëzonim në supermarket dhe merrnin ushqime”, i thotë ai Gazetës.

Advertisement

Por nga 460 mijë emigrantët shqiptarët në Itali, vetëm 140 mijë shqiptarë kanë marrë nënshtetësinë italiane si Denisi dhe familja e tij. Kjo do të thotë se të paktën 300 mijë shqiptarë nuk kanë mundur të marrin ndihmë financiare gjatë pandemisë, duke u detyruar t’u kërkojnë ndihmë familjarëve në Shqipëri.(SI)

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy