ANALIZA: A mund t’i mbijetojë NATO pasojave nga situata në Afganistan?

Pinterest LinkedIn Tumblr +
ANALIZA: A mund t’i mbijetojë NATO pasojave nga situata në Afganistan?

Nga Dave Keating “Internationale Politik”

Në fillim të muajit maj, kur vendet evropiane po prisnin një përgjigje nga presidenti amerikan Xho Bajden, nëse ky i fundit do t’i përmbahej afatit të tërheqjes nga Afganistani, ashtu siç kishte rënë dakord me talebanët paraardhësi i tij Donald Trump, ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian u takuan në Bruksel për të diskutuar mbi situatën.

Nga shënimet e atij takimit, është e qartë se ata nuk ishin të lumtur. Të gjithë ranë dakord se para se të ndodhte tërheqja duhej pritur për të parë angazhimin e qartë të talebanëve ndaj armëpushimit dhe një zgjidhje politike.

Ata vunë në dukje se pasojat e një tërheqjeje të nxituar, do të ndiheshin më shumë në Evropë sesa në Shtetet e Bashkuara, duke paraqitur një “kërcënim të drejtpërdrejtë për interesat kryesore të sigurisë evropiane” dhe “duke shkaktuar flukse masive të refugjatëve në Evropë”.

Advertisement

Pavarësisht nga këto dyshime, evropianët u ndjenë tërësisht të pafuqishëm në këtë situatë.

Përtej kanalit,edhe politikanët britanikë që pas Brexit nuk kanë më një vend në këshillin e ministrave të jashtëm të BE-së, po shprehnin privatisht të njëjtat shqetësime si homologët e tyre evropianë, por edhe ata ishin të pafuqishëm.

Atëherë, çfarë veprimi u vendos të ndërmerret në Bruksel dhe Londër, për t’iu përgjigjur këtyre shqetësimeve serioze? Asgjë. Ata thjesht prisnin që të udhëzoheshin nga presidenti Bajden se çfarë do të bënin të gjithë. Ndoshta nuk ka një ilustrim më dëshpërues dhe katastrofik të problemit qendror me të cilin ballafaqohet NATO.

Misioni në Afganistan solli 2 risi për organizatën.

Advertisement

Ishte hera e parë që çdo vend evokoi nenin që përcakton detyrimin e mbrojtjes reciproke të aleatëve. Dhe 20 vjet më vonë, është hera e parë që NATO e humb një luftë.

Në vitin 2001, presidenti amerikan XhorxhW.Bush evokoi Nenin 5 vetëm 3 javë pas sulmeve terroriste të 11 Shtatorit, për t’u kërkuar të gjithave vendet e NATO-s (19 në atë kohë, 30 sot) që t’i vinin në ndihmë Amerikës.

Ky proces ishte ligjërisht i dyshimtë, duke pasur parasysh faktin se SHBA ishte sulmuar nga një organizatë terroriste me bazë në Afganistan, dhe jo nga vetë qeveria afgane. Por apeli u respektua, madje edhe nga presidenti francez Zhak Shirak. Në atë kohë dominonte mendimi se Al-Kaeda gjithashtu përbënte një kërcënim për Francën dhe duhej çrrënjosur.

Në fakt, Al Kaeda u shpartallua brenda një muaji. Por në vend se ta përfundonte misionin atje, administrata Bush, e mbushur me neokonservatorë të etur për aventura ushtarake të huaja, vendosi t`i ndryshojë objektivat. Ndaj u krijua një mision kombëtar i quajtur Forca Ndihmëse e Sigurisë Ndërkombëtare, me anëtarët e NATO-s që u përfshinë në luftime në krah të qeverisë së re të Afganistanit kundër kryengritjeve të vazhdueshme talebane.

Advertisement

Në fjalimet e tyre përgjatë javës që kaloi, presidentët Bajden dhe Makron këmbëngulën se synimi në Afganistanit nuk ka qenë asnjëherë ndërtimi i kombit afgan. Por duke hedhur një vështrim pas në kohë, është e habitshme sesi anëtarët evropianë të NATO-s iu bashkuan atij misioni.

Duket se anëtarët evropianë të NATO-s ndiheshin të pafuqishëm për të bërë asgjë tjetër përveçse të ndiqnin SHBA-në në kryqëzatën e saj kombëtare. Dhe 20 vjet më vonë, të njëjtët anëtarë të NATO -s u ndjenë të pafuqishëm për të bërë asgjë tjetër përveçse të ndiqnin SHBA -në në tërheqjen e saj të nxituar.

Imazhet që pasuan të njerëzve të dëshpëruar që vareshin nëpër krahët e avionëve ushtarakë amerikanë, duke rënë edhe nga qielli, kanë qenë edhe më të këqija sesa imazhet traumatike që përjetoi Amerika gjatë rënies së Saigonit në vitin 1975.

Ka pasur shumë krahasime midis Luftës së Vietnamit dhe asaj në Afganistan, për shkak të kohëzgjatjes së tyre, zvarritjes së misionit, objektivave të paqarta dhe humbjes poshtëruese.

Advertisement

Por pasojat e Afganistanit mund të jenë shumë më të këqija.

Vietnami ishte një luftë amerikane, që në fund e demoralizoi një komb. Afganistani është një mision i NATO-s, dhe dështimi i tij do të demoralizojë dy kontinente. Si mund të mbijetojë NATO në kushte të tilla? “Ky është dështimi më i madh që ka pësuar NATO që nga themelimi”-u shpreh Armin Lashet, kreu i Unionit Kristiandemokrat të qendrës së djathtë (CDU), që pritet të zëvendësojë Merkelin si kancelar i Gjermanisë pas zgjedhjeve parlamentare të shtatorit.

Natyrisht, anëtarët evropianë të NATO-s kanë pasur një poshtërim tjetër në të kaluarën, gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë në vitet 1990. Por dallimi është se pas dështimeve të hershme evropiane, ato luftëra u “fituan” në fund nga NATO kur në ndihmë i erdhi SHBA-ja.

Në atë kuptim, NATO funksionoi për atë që është, një protektorat ushtarak amerikan mbi Evropën. Ndërkohë, dështimi në Afganistan paraqet një sfidë shumë më të madhe për aleancën, edhe pse NATO nuk funksionoi atje as si aleancë dhe as si protektorat.

Advertisement

Imazhet traumatike të ditëve të fundit nga Afganistani,duhet t/’i detyrojnë politikanët të zhvillojnë një diskutim të sinqertë për NATO -n. Ky i fundit nuk duhet të përfundojë me kolapsin e organizatës. Nëse do të ndodhte kjo e fundit, kjo do të ishte shenjë e mungesës së forcës dhe elasticitetit të organizatës.

Ekzistojnë shumë mundësi për transformimin e NATO -s në diçka që të funksionojë në interesin e amerikanëve dhe evropianëve.

Një opsion do të ishte shndërrimi i saj në një aleancë ushtarake vetëm për Evropën pa SHBA-në, Kanadanë apo Turqinë.

Një tjetër do të ishte pasja e një BE-je apo një BE plus bllokun ushtarak të unifikuar brenda aleancës, si një kundërpeshë ndaj hegjemonisë amerikane. Opsioni më ekstrem është shpërbërja e organizatës. Kjo e fundit nuk është e dëshirueshme, dhe do të hidhte poshtë dekada pune të palodhshme që kanë krijuar aleancën më të fortë ushtarake në botë.

Advertisement

Por limitet e një NATO -je që duket e fuqishme, por që është e kalbur në zemrën e saj, janë zbuluar këtë javë për të gjithë.

Nëse evropianët vazhdojnë ta zhysin kokën si struci në rërë kur bëhet fjalë për problemet themelore të aleancës, derisa të vihet në provë,atëherë do të jetë tepër vonë. Ata që e vlerësojnë NATO-n duhet të jenë të hapur për ta transformuar plotësisht atë. Kjo mund të jetë edhe mënyra e vetme për ta mbajtur në këmbë.(cna)

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy