Ndërsa SHBA përkujtojnë sot 244 vjetorin e pavarësisë, presidenti Donald Trump ka nisur festimet nga monumenti gjigant “Mali Rushmore” në Dakotën e Jugut.
Monumenti është një skulpturë masive ku janë skalitur portretet e presidentëve amerikanë George Washington, Thomas Jefferson, Theodore Roosevelt dhe Abraham Lincoln.
Jo pa qëllim, kreu i shtëpisë së bardhe riktheu pas 10 vitesh nisjen e festimeve pikërisht nga ky vend. Në fjalimin e tij përpara mijëra njerëzve, presidenti Trump tha se Shtetet e Bashkuara janë nën sulm nga një fashizëm i ri i majtë që ka një sjellje totalitare ndaj vlerave dhe historisë amerikane.
DONALD TRUMP
PRESIDENT I SHBA
“Ndërsa ne jemi mbledhur sot këtu, shohim se ka një rrezik në rritje që kërcënon përpjekjet historike të paraardhësve tanë. Po zhvillohet një fushatë e pamëshirshme për të mohuar vlerat dhe historinë tonë si dhe të indoktrinojë fëmijët tanë. Turma të zemëruara po përpiqen të rrëzojnë statujat, duke sulmuar lirinë dhe trashëgiminë e shenjtë të kujtesës. Ata mendojnë se amerikanët janë të dobët por jo, njerëzit tanë janë të fortë e krenarë dhe nuk do të lejojnë që tju rrëmbehet historia dhe kultura.”
Sipas analistëve, zgjedhja e “Malit Rushmore” si sfond i festimeve me rastin e Ditës së Pavarësisë është një strategji politike që rrjedh qartë nga debati për monumentet.
Tubimi ka shkaktuar polemika lidhur me rrezikun e përhapjes së koronavirusit apo ndonjë zjarri të fuqishëm si pasojë e fishekzjarreve, së bashku me protesta nga grupet indigjene.
Mbrëmjen e kësaj të shtune, mijëra njerëz do të mblidhen në Uashington për të shënuar kulmin e festimeve të ditëss ë pavarësisë me një shfaqje të jashtëzakonshme fishekzjarresh.
The post Amerika feston Pavarësinë, Donald Trump hap ceremonitë nga “Mali Rushmore” appeared first on Vizion Plus.