Pas alarmit të lëshuar nga Shtetet e Bashkuara, Ukraina i dërgon një mesazh të fortë Rusisë. Këtë e bëri me anë të stërvitjeve taktike ushtarake me luftime me të shtëna armësh dhe lëshime të parashutistëve nga qielli, përfshirë njësitë e Forcave Ajrore Sulmuese.
Të gjitha këto aktivitete, u zhvilluan në një qendër stërvitore pranë rajonit Zhytomyr, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës. Gjatë stërvitjeve ushtarake, tanke dhe mjete të tjera luftuese u lëshuan nga qielli nga një avion kargo dhe me anë të parashutave zbritën në tokë.
Gjithashtu, kanë zbritur në tokë edhe disa kuti me ndihma dhe material luftues duke përdorur një sistem shumë të saktë lëshimi. Pjesëmarrësit në këto lojëra ushtarake praktikuan dhe shpërndarjen e sistemeve të mortajave nga helikopterët e ushtrisë dhe evakuimin e të plagosurve dhe mjeteve luftarake të dëmtuara nga fushëbeteja. Ndërkohë, Rusia ka reaguar pas alarmit të lëshuar nga inteligjenca amerikane se po bëhet gati të pushtojë Ukrainën.
“Nuk mund të përjashtosh se një histeri e tillë është e përshkallëzuar në mënyrë artificiale. Fajësohemi për aktivitet ushtarak të pazakontë në territorin tonë nga ata, të cilët kanë sjellë forcat e tyre të armatosura përreth oqeanit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo nuk është logjike dhe shumë e pasjellshme”, tha Dmitry Peskov, zëdhënës i Kremlinit.
Zëdhënësi i Kremlinit hodhi poshtë pretendimet amerikane se Rusia po përgatit një sulm ushtarak ndaj Ukrainës dhe kërkoi nga NATO që të ndalojë aktet provokuese në rajon.