Aktori i Hollywoodit, Alec Baldwin ka mohuar përgjegjësinë për të shtënat fatale me armë zjarri gjatë xhirimeve të një filmi në muajin tetor.
“Mendoj se dikush është përgjegjës për atë që ka ndodhur dhe nuk mund ta them se kush është. Mirëpo e di që nuk jam unë”, ka thënë Baldwin gjatë një interviste për transmetuesin amerikan ABC më 2 dhjetor.
Këto kanë qenë komentet e tij të para për të shtënat e 21 tetorit gjatë xhirimeve të filmit Rust në Nju Meksiko. Kinematografja me prejardhje nga Ukraina, Halyna Hutchins ka mbetur e vdekur derisa regjisori, Joel Souza është plagosur.
Baldwin ka thënë se atë e kanë informuar se arma është “e sigurt”, mirëpo në të ka pasur municion. Sipas tij, është e domosdoshme që hetuesit të kuptojnë se kush e ka vënë plumbin në armë.
Gjatë intervistës, ai ka thënë se nuk e beson se do të akuzohet penalisht për këtë rast. Autoritetet në Nju Meksiko janë duke hetuar ende këtë rast dhe ende nuk kanë ngritur padi./R.E.L