Një nga aleatët e ngushtë të politikanit të opozitës ruse Aleksei Navalni akuzoi Kremlinin se po përpiqet ta frikësojë atë me qëllimin për ta shkurajuar që të mos rikthehet në Rusi.
Ndërsa 44-vjeçari ndodhet për kurim në Gjermani pas helmimit të tij në Siberi në muajin gusht, ekipi i zotit Navalni tha se përmbaruesit rusë i kanë ngrirë llogaritë bankare dhe i kanë sekuestruar banesën.
Kremlini ka akuzuar zotin Navalni për bashkëpunim me CIA-n, gjë që ka nxitur agjencitë ruse të lajmeve pro-qeverinë të raportojnë se zoti Navalni mund të shpallet fajtor për tradhti.
“Ne po shohim të gjitha format e frikësimeve nga ana e tyre”, tha për agjencinë Reuters, Leonid Volkov, një anëtar i ekipit të zotit Navalni.
Udhëheqësi i opozitës ruse thotë se do të rikthehet në atdhe dhe Kremlini ka thënë se ai është i lirë ta bëjë një gjë të tillë. Moska i ka hedhur poshtë pretendimet e zotit Navalni se Presidenti Vladimir Putin qëndron pas helmimit të tij me agjentin nervor Novichok.
“Deri më 20 gusht nuk mund ta imagjinonim se në Rusinë moderne, Putini mund të japë një urdhër për të helmuar Navalnin me novichok …ky është një realitet i ri me të cilin duhet të mësohemi të jetojmë”, tha zoti Volkov.
Zoti Navalni është ankuar për vite me radhë se nuk i lejohet të dalë në median shtetërore dhe se sistematikisht është vënë nën shënjestër me procese gjyqësore dhe hetime penale të sajuara që synojnë të ndrydhin aktivitetin e tij.
Ai vazhdon të jetë objekt i një hetimi penal për shpifje nga një veteran i Luftës së Dytë Botërore i cili ka duartrokitur reformat kushtetuese të mbështetura nga presidenti Putini. Javën e kaluar, Yevgeny Prigozhin, një biznesmen i lidhur me Kremlinin, njoftoi plane të reja për ta paditur zotin Navalni për shpifje. Zoti Volkov tha se zoti Navalny nuk ka asnjë dyshim se do të kthehet në Rusi.
“Padyshim që ata nuk duan që ai të kthehet. Por ai do të bëjë pikërisht këtë gjë”, shtoi ai./ VOA