Nga Dell Dailey& James P.Farwell “National Interest”
Retorika e Vladimir Putin po kërkon një Marrëveshje të re të Mynihut pas asaj të vitit 1938, me kapitullimin e Joe Biden. Por ky i fundit nuk mund ta lejojë këtë gjë. Por më pas presidenti amerikan parashikoi shpërthimin e një konflikti të armatosur.
Të dy udhëheqësit janë të zgjuar,ndaj duhet ta shmangin një luftë të shmangshme. Ajo për të cilën kanë nevojë që të dyja palët, është një strategji e madhe që të ripërcaktojë marrëdhëniet midis Perëndimit dhe Rusisë, dhe që i jep secilës atë që kërkon krenaria dhe interesat vetjake të sigurisë, dhe që në fund shmang një konflikt që rrezikon të përshkallëzohet në Luftën e Tretë Botërore.
Një aspekt thelbësor i qëndrimit të SHBA-së ndaj krizës ukrainase, është ndalimi i reagimeve ndaj kërcënimeve të Putinit, dhe kalimi në një qëndrim pro-aktiv për zgjidhjen e krizës, duke propozuar ide realiste që funksionojnë për të gjitha palët.
Fjala është për strategjinë e parandalimit. Por Shtetet e Bashkuara duan nga Rusia veprime që çojnë përpara interesat e sigurisë së SHBA-së, ashtu siç Rusia dëshiron qëtë mbrojëtë sajat. Atëherë cilat strategji të mundshme mund të funksionojnë për të gjitha palët?
Në rast se dikush e etiketon strategjinë e madhe të Dwight Eisenhowersi “frenim”, atëherë ajo duket se përkufizohet ndryshe si “ekuilibër”. Ky koncept nuk e sheh Rusinë si mike apo aleate.
Por le të shohim përtej personaliteteve të liderëve, dhe të arrijmë një ekuilibër për një rend të qëndrueshëm në Evropë, të rrënjosur tek marrëdhëniet ndërshtetërore afatgjata. Strategjia e frenimit e SHBA-së, e bëri të qartë se Bashkimi Sovjetik kishte ambicie ekspansioniste. Eisenhower e refuzoi me të drejtë bashkëjetesën, dhe punoi për ta mposhtur komunizmin.
Rusia dëshiron të ringjallë sferën e ndikimit që kishte në epokën sovjetike, por ajo nuk ofron asnjë ideologji. Dhe ndërsa kërkon të ketë një ndikim global si një fuqi e madhe, Moskës i mungojnë ambiciet perandorake që kishte Bashkimi Sovjetik.
Një bashkëjetesë realiste e bazuar tek forca ka kuptim për një Perëndim të bashkuar, dhe të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, me NATO si fokusin e saj ushtarak, dhe Bashkimin Evropian që është e përqendruar më shumë tek pjesa politike. Arritja e këtij qëllimi do t’i japë mundësi Perëndimit ta drejtojë më shumë vëmendjen ndaj sfidave të tij kryesore, sidomos atyre që vijnë nga ambiciet e Kinës.
Nacionalizmi dhe mendjemadhësia e nxisin Putinin të rifitojë ndikimin dhe kontrollin e Rusisë mbi sferën e saj të mëparshme. Putini e sheh Revolucionin e Maidanit, që përmbysi një qeveri pro-ruse në Ukrainë, si një “revolucion shumëngjyrësh të sponsorizuar nga SHBA, që është pjesë e një skeme për ta rrëzuar atë nga pushteti.
Ruajtja e regjimit është gjithmonë qëllimi nr.1 i Putinit. Edhe pse e gabuar, frika e tij ndihmon në shpjegimin e taktikës së tij aktuale. Perceptimi i Putinit për faktet, dhe jo për
vetë faktet, dikton edhe veprimet e Rusisë.
Një kornizë e qëndrueshme në raportet midis Rusisë dhe Perëndimit mund të bazohet tek idetë e mëposhtme. Së pari, tek garancitë se as Ukraina dhe as Gjeorgjia nuk do të bëhen anëtare të NATO-s. Kievi mund të pranojë një status të ngjashëm me atë të Austrisë.
Austria është një demokraci që bën biznes me të gjitha palët dhe e ruan pavarësinë e saj. Një status i tillë nuk do ta dëmtonte Perëndimin, dhe do të largonte kërcënimin për të cilin ankohet më shumë Putin. Vetë Ukraina duhet të jetë pjesë e këtij negocimi.
Së dyti, disa besojnë se Putin druhet se një demokraci e suksesshme në Ukrainë do të nxiste pasoja negative në Rusi që minojnë regjimin e tij. Nëse nuk e dëshiron një luftë të vërtetë, Putin do të duhet ta kuptojë këtë edhe në nivelin politik. Ai është popullor në Rusi dhe mund të mbetet i tillë, vetëm nëse rusët nuk shohin shumë arkivole me trupat ruse që mbërrijnë në shtëpi. Ky është një kërcënim më serioz edhe se reagimi i dobët i Rusisë ndaj Covid-19.
Së treti, Putin dëshiron që Shtetet e Bashkuara të shmangin ndërhyrjen në politikën e brendshme ruse. Le të jemi realistë. Shtetet e Bashkuara reaguan me të drejtë për ndërhyrjen e rusëve në zgjedhjet presidenciale amerikane.
Putin e ka zemëruar shumë Evropën, duke përdorur si armë mediat sociale, si dhe taktika të tjera hibride të luftës për të krijuar përçarje politike, dhe për të dëmtuar NATO-n dhe BE-në.
Por, siç e thekson Rusia, asnjë vend nuk përzihet aq shumë sa SHBA-ja në politikën e vendeve të tjera. Ndaj një nga mënyrat për zgjidhjen e kësaj krize, mund të jetë një marrëveshje e ndërsjellë, sipas së cilës Perëndimi dhe Rusia do të ndalojnë ndërsjelltas të përzihet në punët e brendshme të njëra-tjetrës.
Së katërti, Putin do të donte ta kthente pas kohën. Por ai duhet të jetë realist për këtë. Ishin korrupsioni dhe dështimi i komunizmit, ato qëe mposhtën Perandorinë Sovjetike, dhe jo Perëndimi. Ai e udhëhoqi Rusinë drejt përparimit ekonomik në mandatet e tij të para. Dhe duhet të kuptojë se kjo është rruga e duhur për të ecur përpara, dhe jo konflikti i armatosur.
Së fundmi, Putin dëshiron që Rusia të respektohet si një fuqi e madhe e barabartë me SHBA-në. Ai mendon se Perëndimi refuzon ta pranojë se Rusia përballoi barrën më të madhe të luftës tokësore kundër Gjermanisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe pësoi më shumë viktima.
Ai është shumë emocional mbi këtë çështje. Trajtimi i krenarisë dhe nacionalizmit është çështje e diplomacisë. Zgjidhja mund të mos jetë e lehtë, por synimi është i arritshëm. Ndërkohë, nëse Putini dëshiron më shumë merita për Rusinë, historianët rusë duhet t`i përkthejnë veprat e tyre në anglisht dhe t’i botojnë në Perëndim.
Ndërkohë Rusia duhet të angazhohet se do të shmangë përdorimin e“Nord Stream II” si levë politike për të ndikuar në politikën evropiane. Gjithashtu, Moska duhet ta pranojë se Perëndimi po vepron me një front të bashkuar përmes Shteteve të Bashkuara, NATO-s, BE-së dhe palëve.
Shtetet e Bashkuara duhet ta bëjnë të qartë se Perëndimi do të bëjë gjithçka që kërkohet për të respektuar detyrimet e Nenit V të NATO-s. Kjo përfshin rritjen e fuqisë aktuale ushtarake në Evropë, dhe veçanërisht fuqinë ajrore, e cila mund të pozicionohet strategjikisht shumë shpejt. Ne mendojmë se linjat e qarta të komunikimit me Rusinë, mund të ndihmojnë në shmangien e konfuzionit ose të shkaktojnë llogaritje të gabuara. Duhet të ri-negociohen çështje të tilla si vendosja e raketave.
Së katërti, Rusia duhet të kontrollojë dhe godasë hakerat kriminalë kibernetikë që shënjestrojnë Perëndimin. Së fundmi, Rusia dhe Perëndimi duhet të përpiqen të gjejnë gjuhën e përbashkët, që njeh kërcënimin ekzistencial të paraqitur nga ambicia e Kinës për të vendosur supermacinë globale ushtarake dhe ekonomike deri në vitin 2049.
Nëse Kina e arrin këtë ambicie,kjo do të përbënte një kërcënim ekzistencial për të dyja palët. Sigurisht, Rusia nuk do t’i bashkohet Perëndimit në një aleancë kundër Kinës, por Perëndimi mund të ndikojë që Rusia të mos jetë aleate me Kinën kundër saj.
Nga perspektiva perëndimore, çdo marrëveshje duhet të jetë e qëndrueshme. Presidenti Ronald Reagan tha në një rast se në marrëdhëniet me Rusinë duhet përdorur fjala e urtë ruse “Beso, por verifiko!”. Të gjitha palët i detyrohen vetes, qytetarëve të tyre dhe botës që të shmangin një konflikt të armatosur, që mund të përshkallëzohet aksidentalisht në Luftën e Tretë Botërore. Koha po shkurtohet.