Eugena Tomini, Shefja e Survejancës dhe Shërbimit të Inteligjencës Epidemike në ISHP, deklaroi se “çdo element që prish ruajtjen e frenimit të virusit, ka ndikim në rritjen e rasteve”, duke iu referuar protestave të dy ditëve të fundit.
“Jo vetëm protesta, por edhe mosmarrja e masave të higjienës personale dhe mosrespektimi i distancimit social, bën që personat asimptomatikë të kthehen në burim infeksioni te popullata e gjerë”, theksoi Tomini për A2.
“Do të sjellë rritje të rasteve, por duke parë kushtet ku ndodhemi, që vatrat janë zbehur, na favorizojnë. Por, vigjilenca nuk duhet ulur”, shtoi Tomini.
Kur u pyet mbi zërat që thonë se shtimi apo pakësimi i rasteve diktohet nga ngjarjet politike, Tomini theksoi: “Shëndëti i popullatës është shumë i rëndësishëm.
Janë një sërë strukturash që çojnë në një shifër që transmetohet në fund për publikun, nuk është një institucion i vetëm.
Për ne vlen në radhë të parë shëndeti i popullatës, vlerat dhe shifrat nuk kanë vlerë para shëndetit. Kemi përgjegjësi dhe korrektësi maksimale”.
Në lidhje me hapjen totale të shoqërisë, Tomini u shpreh se ajo do të bëhet “në momentin e zbehjes totale të të gjitha vatrave aktive”.