A do të japë llogari Kina për fshehjen fillestare të Covid-19?

Pinterest LinkedIn Tumblr +
A do të japë llogari Kina për fshehjen fillestare të Covid-19?

Nga Brahma Chellaney “Project Syndicate

Ndërsa pandemia po hyn në vitin e saj të tretë, pyetjet rreth origjinës së Covid-19 duken gjithnjë e më të largëta. Por në rast se duam të parandalojmë një tjetër pandemi të koronavirusit në shekullin XXI, është më se e domosdoshme të kuptojmë shkaqet e pandemisë aktuale.

Covid-19 ka shkaktuar deri tani më shumë se 5.4 milionë të vdekur. Por ky është vetëm fillimi:në dëmet e shkaktuara nga kjo pandemi duhet të përfshihen edhe rritja e shkallës së obezitetit, papunësia, varfëria, depresioni, alkoolizmi, vrasjet, dhuna në familje, divorcet dhe vetëvrasjet.

Dhe ndërsa varianti Omicron po nxit norma infektimi rekord dhe po zhyt ne krizë ekonomitë në shumë rajone të botës, lodhja nga pandemia po shndërrohet në një pandemi mendore. Shanset tona për ta eliminuar plotësisht Covid-19, duken tani gjithnjë e më të largëta.

Advertisement

Por teksa po përpiqemi që të kuptojmë se si të bashkëjetojmë me virusin, duhet të identifikojmë edhe hapat e gabuar – aksidentale ose jo – që na sollën në këtë situatë.

Dhe para së gjithash kjo do të thotë të kemi një qasje shumë kritike ndaj sjelljes së Kinës.

Tashmë dihet shumë mirë se regjimi i presidentit kinez Xi Jinping i censuroi raportet e hershme se një koronavirus i ri vdekjeprurës ishte shfaqur në Vuhan, dhe i fshehu provat e transmetimit të tij midis njerëzve, duke bërë që një shpërthim epidemik lokal të shndërrohej në një katastrofë globale.

Ajo që mbetet për t’u përcaktuar është nëse Covid-19 u shfaq natyrshëm në botën e egër apo u krijua nga një laborator, pra nga Instituti i Virologjisë në Vuhan (WIV). Edhe në këtë rast, Kina ka qenë më shumë e mjegullt sesa transparente.

Advertisement

Regjimi i Xi ka bllokuar çdo lloj hetimi të pavarur mjeko-ligjor mbi origjinën e Covid-19, duke pretenduar se çdo hetim i tillë përbën “një terrorizëm të gjurmimit të origjinës”. Pasi Australia bëri thirrje për një hetim mbi mënyrën se si Kina e menaxhoi në fillim situatën, qeveria e Xi e ndëshkoi atë me një sërë sanksionesh jozyrtare.

Por Kina u ndihmua nga jashtë për të mbuluar sjelljen e saj të keqe. Në fillim të pandemisë, Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, justifikoi dhe përforcoi qëndrimet zyrtare të qeverisë kineze, dhe e vlerësoi trajtimin që i bëri Pekini përhapjes së parë masive të koronavirusit. Në vend se të verifikonte pretendimet e Kinës, OBSH-ja u shndërrua në një megafon të kësaj të fundit duke i transmetuar ato në mbarë botën.

Megjithatë, larg kritikave ndaj këtij dështimi të qartë të udhëheqjes globale të shëndetësisë, Franca dhe Gjermania pranuan emërimin e Tedros për një mandat të dytë në krye të OBSH-së, ndërsa Shtetet e Bashkuara vendosën të mos paraqesin një kandidat për ta sfiduar atë. Duke qenë i pakundërshtueshëm, Tedros do ta drejtojë tani këtë institucion shumë të rëndësishëm edhe për 5 vite të tjera. Po ashtu edhe Perëndimi e ndihmoi Kinën që ta largonte vëmendjen nga hipoteza e daljes së koronavirusit nga laboratori i virologjisë.

Disa laboratorë në Perëndim janë angazhuar jo vetëm në kërkime për të inxhinieruar super-viruse; por disa qeverinë vendet perëndimore kanë lidhje direkte me Institutin e Virologjisë në Vuhan, një institut i projektuar sipas modelit francez për të kryer disa kërkime të financuara nga SHBA.

Advertisement

Si Instituti Kombëtar i Shëndetësisë ashtu edhe USAID kanë dhënë grante për “EcoHealth Alliance”, një grup që studion koronaviruset që gjenden tek lakuriqët e natës në bashkëpunim me studiuesit e Institutit të Virologjisë në Vuhan.

Qeveria amerikane nuk e ka bërë ende publike shumën e plotë të financimit të saj për projektet WIV, e lëre më pastaj të shpjegojë arsyen pse agjencitë e saj duhet të financojnë kërkime për një institucion me lidhje direkte me ushtrinë kineze.

Një raport i Departamentit të Shtetit i bërë publik në janar 2021,deklaronte ndër të tjera se SHBA ka “të drejtën dhe detyrimin të përcaktojë nëse ndonjë nga fondet tona të kërkimit, është devijuar në projekte sekrete ushtarake kineze në WIV”.

Por pse u konsiderua i pranueshëm ky rrezik?Konfliktet e interesit që rrethojnë hipotezën e daljes së koronavirusit nga një laborator,shtrembëruan debatet e hershme rreth origjinës së COVID-19. Një artikull i publikuar në revistën mjekësore “The Lancet” në shkurtin e vitit 2020, të nënshkruar nga një grup virologësh, është një rast i tillë.

Advertisement

Artikulli “kritikonte me forcë” ata që “sugjeronin se Covid-19 nuk kishte një origjinë natyrore”. Mesazhi ishte i qartë:t’i jepet njëfarë besueshmërie hipotezës së një dalje  laboratorike e virusit nuk do të kishte baza të forta shkencore. Më vonë u zbulua se artikulli ishte hartuar nga presidenti i “EcoHealth Alliance”.

Por kur dolën në dritë këto konflikte të interesit, ishte tepër vonë. Mediat kryesore në SHBA dhe gjigantët e mediave sociale, po e trajtonin hipotezën e daljes së virusit nga laboratori si një teori konspirative të pabazë, ndërsa Facebook, Instagram dhe Twitter censuronin periodikisht referencat për një hipotezë të tillë.

Në fakt duhet të ishte gjithmonë e qartë se hipoteza e daljes së virusit nga laboratori, ka pasur baza të forta:Epidemia e SARS-it (sindromës së rëndë akute të frymëmarrjes) në Pekin në vitin 2004, u shkaktua nga një rrjedhje e tillë.

Por diskutimi i sinqertë i kësaj mundësie ishte i ndaluar deri në majin e vitit 2021, kur presidenti amerikan Joe Biden njoftoi se një aksident laboratorik ishte një nga “dy skenarët e mundshëm” të përhapjes së Covid-19, dhe se mbi të do të fokusoheshin agjencitë sekrete amerikane, dhe ato kryen në fakt një hetim 90-ditor në origjinën e pandemisë.

Advertisement

Por deri atëherë, autoritetet kineze kishin pasur mjaftueshëm kohë në dispozicion për të mbuluar çfarëdolloj gjurme që mund të kishte pasur. Nëse kësaj i shtojmë mosgatishmërinë e Kinës për të bashkëpunuar në një hetim ndërkombëtare, nuk duket të jetë i habitshëm fakti që rezultatet e hetimit ishin jopërfundimtare.

Megjithatë ai ishte mesa duket i mjaftueshëm për të bindur Biden të hiqte presionin nga Kina. Pavarësisht se u zotua të “bëjë gjithçka që është e mundur për të gjurmuar rrënjët e kësaj pandemie që ka shkaktuar kaq shumë dhimbje dhe vdekje në mbarë botën”, ai nuk e zgjeroi hetimin e shërbimeve sekrete, dhe që atëherë ai ka shmangur çdo referencë mbi origjinën e pandemisë.

Xi Jingping njoftoi shtatorin e vitit të kaluar se laboratorët kinezë që merren me studimin e patogjenëve vdekjeprurës, do të përballeshin me një mbikëqyrje më të madhe. Por nga ana tjetër ai vazhdon të denoncojë çdo insinuatë se koronavirusi mund të ketë rrjedhur nga njëri prej këtyre laboratorëve.

Ndërkohë, Kina është duke përfituar shumë nga pandemia. Eksportet kineze janë në rritje. Vendi komunist e ka shfrytëzuar krizën për të çuar përpara interesat e tij gjeopolitike, përfshirë rritjen e agresionit të tij territorial, nga Azia Lindore në Himalaja.

Advertisement

Por llogaridhënia e Pekinit mund të ndodhë ende. Gati treçereku i amerikanëve besojnë tani se ka “të ngjarë” që Covid-19 të ketë dalë nga Instituti i Virologjisë në Vuhan. Për më tepër, ndërsa ambiciet neo-imperialiste të Kinës janë bërë më se të qarta, pikëpamjet e pafavorshme mbi Kinën kanë arritur nivele rekord në shumë ekonomi të përparuara.

Në rast se liderët botërorë do të donin një mandat për të zhvilluar hetime të mëtejshme mbi origjinën e pandemisë, është e sigurt të thuhet se e kanë atë. Kjo nuk është pandemia e parë e krijuar në Kinë. Ky vend prodhoi gjithashtu SARS-in në vitin 2003, Gripin Aziatik në vitin 1957, Gripin e Hong Kongut në vitin 1968 dhe Gripin Rus në 1977. Nëse bota vazhdon ta lejojë Kinën që t’ia hedhë paq edhe këtë herë, pandemia e Covid-19 nuk do të jetë e fundit. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Shënim: Brahma Chellaney, profesor i studimeve strategjike në Qendrën për Kërkime Politike me bazë në Nju Delhi, dhe bashkëpunëtor në akademinë “Robert Bosch” në Berlin.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy