30 vjet pas 2 korrikut 1990, keqardhja më e madhe është që nuk u largova nga Shqipëria

Pinterest LinkedIn Tumblr +
30 vjet pas 2 korrikut 1990, keqardhja më e madhe është që nuk u largova nga Shqipëria

Nga Denion Ndrenika

Në 2 korrik të 30 vjetëve më parë u thye frika ndaj dhunës diktatoriale me shpërthimin e dyerve të ambasadave.

Atë ditë e në mbrëmje në mbamendjen time unë isha praktikant kuzhiner te restorant “Elbasani”, apo një ish-mencë studentësh tek ura e Rrugës së Elbasanit dhe ishte dasma e djalit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Prokop Murra.

Me shefin e kuzhinës Fatmir Kapedani dhe bashkëshkollarë, thjesht përgatiteshim për dasmën, madje mbaj mend që gatova një “qebap në letër’”.

Advertisement

Pas dasmës diku nga 4 e ca e mëngjesit, mora udhën për në shtëpi që e kisha në qendër të Tiranës, saktësisht 2 minuta larg sheshit “Skënderbej”.

Sa herë hapja dritaren e shtëpisë, shihja Gjergj Gjon Palin e Kastriotëve që mbajti osmanllinjtë 25 vjet larg Europës, e sot më shëmbëllën njejtë se sa flakur na ka Europa ne

Ecur rrugës, diku tek ish-kinema “Partizani”, që si shumë të tjera gjatë qeverisjes kryebashkiake të Tiranës nga Edi Rama u shkatërruan ose u dhanë për pallate, njejtë si 11 fusha futbolli apo qendra Rinore, një “Morr” policia, siç i quanim makinat e tyre “Fiat” asokohe, vetëm më përcolli me sytë e policëve pa më ndaluar.

Për në shtëpi mbrapa ish-ambasadës Turke dhe ish-kinema “Republikës”, që nga kryebashkiaku Rama siç ceka më lart u dha për pallat, kalova pa menduar fare se çfarë ditënate po humbja dhe assesi që ta kujtoja pas 30 vjetësh.

Advertisement

Ambasada e Gjermanisë i priu vendosmërisë për të mos lejuar kthim pas duke shtyrë përpara përpjekjet mbarëpopullore për rrëzimin e diktaturës.

Mijëra qytetarë u strehuan dhe u morën në mbrojtje nga ambasadat përkundër diktaturës komuniste që vazhdoi raprezaljet përfshi vrasjet në kufi ndonëse në grahmat e fundit që nga vendosja pas 29 Nëntorit 1944.

Regjimi komunist u trondit në themele kur demokracitë perëndimore refuzuan të dorëzonin mbi 5 mijë qytetarët dhe detyruan autoritetet të pranonin largimin e tyre nga Shqipëria.

Mirëpo, tash 30 vjet pas Ambasadave, keqardhja më e madhe në jetë është që nuk u largova.

Advertisement

Me rrethin tepër të ngushtë shoqëror Sokol Blacerin e ndjerë, Sokol Xhunga, Arian Ndreun, Oltion Lulin, Erion Begën, Ened Barimin ishim thuajse më shumë se të bindur për të ikur.

Madje, kujtoj me të qeshur se si Bega më “sulmonte” se unë arsyeoja ikjen në ambasadën gjermane apo në Gjermani sepse isha tifoz futbolli me gjermanët dhe unë që i thoja që të shkonim ku të donte ai, edhe në Turqi meqë ambasadën e kishim pranë shtëpisë time, ngjitur me mikun e fëmijërisë të përndjekurin politik, familje vuajtëse në Spaç, Ben Bakalli.

Mirëpo, në të vërtetë ngecëm edhe pse ishim aktivë, shumë aktivë të padashuruar në asnjë grimë me atë regjim.

Madje, bënim plane se si do të iknim nëse hapej kufiri asokohe me përfoljen e shumëzhurmëshme për 72 orë apo siç e kishte bërë Fidel Kastro në Kubë.

Advertisement

Dhe, unë si “mendplotë” merresha me tregimin te shokët të rrugëtimit të mundshëm në hartë, duke mbetur symbyllur që na u shqyen ambasadat në mes të Tiranës.

Shumëkush që na ka njohur asokohe, vërtetë që habitet se si mbetëm dhe nuk ikëm.

Me siguri nuk ishim pjekur siç duhej ose nuk ishim aventurierë të patrembur.

Ato ditë diskutonim për veprimtari madhore sportive: Finalen e Uimbëlldonit meshkuj, Brazil-Argjentinë dhe Holandë-RFGJ për Kupën e Botës.

Advertisement

Natyrisht edhe të shkonim në plazh se pa ne, ose me në ambasada, plazhi do të merrte fund.

Të mendosh që sot pas 30 vjetësh ke gabuar që nuk ike, është në të vërtetë më shumë se keqardhje.

Mjafton të shohim shoqërinë tonë të nëpërkëmbur nga e tërë klasa politike dhe intelektuale, duke mos kërkuar ndjesë për të përdorur ndaj tyre fjalët “të pafytyrë” se përse sot është keqardhje mendimi i mosikjes 30 vjet më parë.

Edhe më pas po e po! Por, me të vërtetë thjesht ngecëm!

Advertisement

Janë të njejtët pjestarë të familjeve kriminale komuniste që qeverisin jo thjesht politikën, ekonominë dhe gjithçka, por trurin, mendjet, shoqërinë e paaftë të dalë fuqiomisht për të pastruar veten.

Prandaj nuk e shoh me vend vend për të thënë apo komentuar që paskërkam shfaqur a shprehur pesimizëm.

Kuptojeni që kjo është e vërteta.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy