Miliona euro dhe paund vijojnë të sillen në mënyrë të paligjshme ne Shqipëri, duke u fshehur kryesisht në automjete që mbërrijnë përmes portit të Durrësit e Vlorës ose në rrugë tokësore.
Rasti më i fundit u zbulua në portin e Barit: Guardia di Finanza, së bashku me zyrtarët e Agjencisë së Doganave dhe Monopoleve, finalizuan një operacion të rëndësishëm të konfiskimit të parave në një furgon që vinte nga Anglia drejt Shqipërisë.
Një kontroll i kujdesshëm i kryer në mjetin me targa angleze në port, bëri të mundur gjetjen e mbi 225 mijë paund.
Paratë, të ndara në dhjetëra tufa të mbështjellura, raporton Vizion Plus, ishin salduar fort brenda serbatorit, aq sa, për nxjerrjen e tyre, ishte e nevojshme ndërhyrja e një mekaniku të specializuar.
Në Portin e Barit, që nga fillimi i këtij viti, janë zbuluar 21 raste të trafikimit të parave, duke sekuestruat mbi gjysmë milioni euro.
Me 24 qershor të vitit 2018 në portin e Durrësit në dy makina toyota yaris u gjetën 3.4 milionë euro të futura në 4 thasë. Sipas prokurorisë, automjetet vinin nga Belgjika, kishin kaluar në Itali dhe u bllokuan në Durrës pas një njoftimi të Interpol Romës.
Por për këtë trafik, në fund nuk u penalizua askush.