Prej më shumë se tre javësh zhvillimet janë intensive në kufirin me Ukrainës dhe Rusisë duke bërë që jo domosdoshmërisht çdokush të ndjekë hap pas hapi zhvillimet atje.
Më poshtë ju sjellim zhvillimet kryesore deri më tani në përballjen mes Rusisë nga njëra anë dhe Ukrainës dhe Perëndimit nga ana tjetër:
-Rusia ka grumbulluar rreth 190,000 trupa përgjatë kufijve të Ukrainës. Ky është grumbullimi më i madh ushtarak në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, thonë zyrtarët amerikanë;
-Moska mohon planifikimin e një pushtimi të Ukrainës dhe akuzon Perëndimin për nxitje të “histerisë”;
-Rusia thotë se disa nga trupat e saj kanë filluar të kthehen në bazat e tyre pas stërvitjeve të planifikuara – por Ukraina dhe aleatët e saj thonë se nuk shohin asnjë provë për këtë;
-Moska njofton gjithashtu stërvitje me raketa balistike dhe të lundrimit të shtunën;
-Në rajonin lindor të Donbasit në Ukrainë, rebelët e mbështetur nga Rusia njoftojnë një evakuim masiv të banorëve, duke thënë se Ukraina ka intensifikuar bombardimet në rajon. Nuk ka asnjë provë që të ketë ndodhur ndonjë bombardim nga Ukraina. Madje SHBA-të paralajmëruan se kjo mund të jetë një taktikë e rusëve për të gjetur një shkak me qëllim futjen e trupave në Ukrainë;
-Presidenti rus Vladimir Putin thotë se situata në Donbas po përkeqësohet;
-Ukraina dhe aleatët e saj thonë se Moska ndoshta po kërkon një pretekst për të pushtuar Ukrainën;
-Liderët botërorë po takohen për një konferencë sigurie në Mynih, por Rusia nuk po merr pjesë për herë të parë që nga viti 1999.
-Perëndimi ka furnizuar Ukrainën me armë dhe raketa anti-tank që do t’i shkaktonin mjaft dëme tankeve ruse në rast të një sulm;
-SHBA-të janë shprehur se do të vendosin sanksione të rënda ndaj vetë Putinit dhe oligarkëve pranë tij në rast të një sulmi ndaj Ukrainës, ndërsa vetë Presidenti i Rusisë u shpreh në një konferencë me Macron se mund të shkohej deri te përdorimi i armëve bërthamore nëse Ukraina futet në NATO dhe aleanca tentonte të merrte me forcë Krimenë.(ABC News)