Studiuesit: Kadare, një model unik! Shkrimtari la pas një trashëgimi letrare të pazëvendësueshme  

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Studiuesit: Kadare, një model unik! Shkrimtari la pas një trashëgimi letrare të pazëvendësueshme  

Nga Tea Sadiku

Kontributi i pamatë që shkrimtari Ismail Kadare la në letërsinë shqipe do të rrugëtojë për dekada me radhë. Jo vetëm te lexuesi, por dhe tek të gjithë ata që  që janë marrë me krijimtarinë e Kadaresë. Për Behar Gjokën vepra merr një tjetër kuptim pas ikjes nga kjo jetë e autorit.

“Fati i mjeshtrave të fjalës është i tillë që në momentin që ndërpritet jeta e tyre, fillon gjykimi, analiza qasja me nj sy tjetër e veprës letrare. Unë mendoj që shtegtimi i Kadaresë në letrat shqipe dhe më gjerë se kaq  do të jetë shumë më tepër se koha fizike”, tha studiuesi Behar Gjoka

Autori unikal i letërsisë shqipe, me veprimtari të gjerë kohore dhe hapësinore, do të përbënte, për cilindo, një sfidë jo të lehtë për t’u studiuar. Kadare krijoi modelin e tij të paimitueshëm në letërsinë shqipe, që për shumëkënd mbetet në kufijtë e pazëvendësueshmërisë.

Advertisement

“Ai ka krijuar një vepër të tërë, e cila është jo vetëm më voluminozja në gjuhën shqipe, por dhe më cilësorja në kuptimin e sintezave të larta artistike. Kështu që në panteonin e letërsisë shqipe ai do të zërë vendin qendror. Padyshim duke krijuar modelin, cakun ose kulmin në letërsinë shqipe duke qenë i paimitueshëm në llojin e tij, ai do të vijojë ti japi letërsisë shqipe forcën e romanit”, tha Viola Isufaj, studiuese dhe pedagoge.

Veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësuesi kryesor i letërsisë shqipe në botë. Kronikë në gur, Pallati ëndrrave, Kështjella, Ura me tre harqe, Prilli i thyer, Dimri i vetmisë së madhe, Kush e solli Doruntinën, Darka e gabuar, etj. janë disa prej trashëgimive që Kadare i la përgjithmonë shqipërisë shqiptarëve dhe kujtdo që do të vijojë të lexojë krijimtarinë e tij./vizionplus.tv

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy