Katër vite nga ndarja nga jeta e aktorit të madh Xhevdet Ferri, e bija Bora ka bërë një dedikim prekës në rrjetet sociale.
Teksa ka postuar një foto krah të dy prindërve, Bora shkruan se sa i mungon i ati, por siç e bën zakonisht ajo krijon edhe një “bisedë” se si dot’i përgjigjej ai nëse do e lexonte.
“Miss you padre (upgrade nga papi). 4 vjet janë asgjë, por edhe shumë! Më mungonke përditë… Ua ç’na the- do më thojë-çudi e madhe që të mungon prindi!! Dhe unë do të të thoja: Më mungon përditë për një dorë munhabet, bre”, shkruan Bora në InstaStory.
Xhevdet Ferri, ikonë e kinematografisë shqiptare, ndërroi jetë në moshën 60-vjeçare si pasojë e një sëmundjeje të pashërueshme pulmonare. Aktori u përcoll në banesën e fundit pa bujë dhe homazhe, sepse kështu kishte kërkuar dhe Bora së bashku me nënën e saj, aktoren Rozeta Ferrin, respektuan dëshirën e tij.
Mjeshtri i Madh i filmit ishte një nga ikonat e kinematografisë shqiptare në vitet ’80-’90 me dhjetra role protagoniste. Si disa nga filmat më të njohur përmendim “Gjurmë në kaltërsi”, “Hije që mbetën pas”, “Era e ngrohtë e thellësive”, “Dhe vjen një ditë”, “Përrallë nga e kaluara” etj./vizionplus.tv