
Nga Tea Sadiku
Pas më shumë se 10 vitesh, rikthehet në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit , legjenda e “Gjergj Elez Alisë”, një ndër kryeveprat më të njohura shqiptare.
Baleti “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë”, i cili mban të njëjtin subjekt të shkëputur nga Eposi i Kreshnikëve, përcjell bëmat e jetës së heronjve të legjendave shqiptare, dashurinë e sakrificat për atdheun dhe njerëzit e dashur.
Por sigurisht nuk mungojnë as personazhet antagonist, dhe këtë herë rolin e njërit prej tyre atë të Bajlozit e interpreton balerini Gert Vaso.
“Unë këtë vepër e kam kërcyer shume vite me përpara, mund ta kem kërcyer mbi 15 herë. Mund të them që për mua është risi pasi vi me rolin e Bajlozit më përpara gjithmonë kam interpretuar rolin e Gjergj Elez Alisë. Mua më pëlqejnë rolet e karaterit dhe kam qenë i dhënë pas këtyre roleve kështu që mendoj që është një rol që më përshtatet dhe mund ta realizoj shumë mirë”, u shpreh balerini, Gert Vaso.
Vepra ka në qendër ka jo vetëm djemtë, por edhe vajzat, ato që shpesh mbartin epitetin zana mali, si dhe Dardinën motrën heroinë të Gjergj Elez Alisë.
“Padiskutim në këto vepra ty të flet shpirti dhe mundohesh të japësh atë që ne shqiptarët kemi, karakterin e fortë. dhe për të treguar që femrat vërtet kanë një karakter shumë të fortë roli i Dardinës e tregon më së miri”, tha Odeta Dishnica, balerinë.
Shfaqja e parë e Baletit “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë”, është dhënë në vitin 1986 me kompozim të Feim Ibrahimit, libret të Ismail Kadaresë dhe koreografi të Agron Aliajt, ndërsa po bëhet gati të ngjitet sërish në skenë më datë 12 dhe 13 maj./vizionplus.tv/