Pas Butrintit dhe Pallatit të Brigadave, duket se edhe zonat arkeologjike të qytetit bregdetar të Durrësit do të jepen me koncesion për 5 deri në 15 vitet e ardhshme.
Plani i Menaxhimit të Zonave Arkeologjike A dhe B të Durrësit për vitin 2021-2028 është hedhur për konsultim publik nga qeveria deri më datë 3 gusht të këtij viti, dhe ka si synim vjeljen dhe gjenerimin e të ardhurave.
Ky model sipas planit mbart rreziqe, sepse është një organizim kompleks dhe kërkon kohë pasi përfshin ndërhyrje që arrijnë deri në 10 vite.
Edhe ky projekt do të financohet nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim dhe prek amfiteatrin e Durrësit si dhe zonat muzeale të qytetit. Ndërhyrja në amfiteatër arrin një kosto prej 3,3 milionë dollarësh për dy fazat e para, që përfshijnë zbulimin e plotë të tij.
Ndërsa për fazat e tjera nuk është vendosur ende një kosto, por është përcaktuar nevoja e shembjes së shtëpive dhe objekteve përreth.
Në planin e menaxhimit parashikohen edhe shumë ndërhyrje të tjera që nga përcaktimi i zonave arkeologjike detare e deri tek objektet e ndryshme me vlerë historike dhe kulturore.