Një koncert i Orkestrës së Operës së Kajros dhe të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, do të çelë siparin e javës kulturore Egjiptiane në Tiranë.
Koncerti Gala i cili do të mbahet sonte në mbrëmje do të kulmojë me pjesëmarrjen e sopranos egjiptiane Amira Selim, e cila rikthehet për herë të dytë në kryeqytet.
AMIRA SELIM
SOPRANO
“Është hera ime e dytë në Shqipëri. Kam një lidhje të fortë me Shqipërinë, kam shumë miq muzikantë shqiptarë në Francë, aty ku unë jetoj dhe sigurisht njoh të madhen Inva Mula. Më pëlqen muzika dhe mënyra si keni ruajtur traditën. Ky është dhe qëllimi i këtij koncerti. Miksimi i dy traditave, dy kulturave, dhe dy vendeve.”
Gjatë prezantimit të kalendarit artistik ministrja e Kulturës Elva Margariti priti homologen e saj të Egjiptit, teksa u firmos dhe memorandumi i midis dy operave si një hap i rëndësishëm në përpjekjet e përbashkëta për bashkëpunim në kapacitetet artistike dhe veçanërisht të të rinjve.
Java e kulturës egjiptiane, e cila do të zgjasë deri më datë 25 shtator, do të vijojë me një sërë aktivitetesh jo vetëm në fushën e muzikës por edhe në letërsi, piktura e teatro.