Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit për Fëmijë “Një mbi një dritaret” ka çelur siparin mbrëmjen e së shtunës, ku edhe këtë vit artistë të vegjël nga 10 qytete të vendit, do të performojnë çdo natë me shfaqjet e tyre.
Për Drejtoreshën e Turizmit dhe Kulturës në Berat, ky organizim i kthyer në një traditë është eventi më i rëndësishëm për fëmijët nga e gjithë Shqipëria.
Festivali i Teatrit për fëmijë “1 mbi 1 dritaret” do të rrugëtojë për 5-ditë me radhë, ku në mbrëmjen finale do shpallen edhe 3 qytetet fituese.
“Artistë të moshës 5-15 vjeç,nga i gjithë vendi,do të ngjiten në skenën e qytetit muzeal për 5-netë me radhë,një risi kjo që është kthyer tashmë prej 4-vitesh në një traditë për qytetin muze të Beratit. Për çdo natë,trupat teatrale të dy qyteteve do të performojnë shfaqjet e tyre teatrale dhe 5 Qershori do të jetë edhe finalja e madhe e këtij eventi,ku juria e përbërë nga aktorët e njohur shqiptar Ndriçim Xhepa,Luiza Xhuvani,Rajmonda Bulku dhe Anila Bisha do të ndajnë edhe 3 çmimet fituese”, tha Silvi Merdani, drejtoresha e turizmit dhe kulturës, Berat.
Festivali edhe këtë vit është organizuar në “Hammamin e Vrionasve”, tek Porta e Pashait në qytetin e Beratit./vizionplus.tv/