Ndarja nga jeta e Kadaresë, reagon Vjosa Osmani: Lartësoi kulturën dhe popullin shqiptar në botë

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Ndarja nga jeta e Kadaresë, reagon Vjosa Osmani: Lartësoi kulturën dhe popullin shqiptar në botë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar për ndarjen nga jeta të shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare.

Osmani thotë se Kadare ka lartësuar kulturën shqipe dhe popullin shqiptar dhe ka mbrojtur të drejtën e Kosovës për liri.

“Me këtë dashuri, të cilën ai e ka shprehur gjithandej veprave të tij, ai i ka paraqitur vlerat e popullit të tij nëpër botë, duke e lartuar gjithandej gjuhën, kulturën e letërsinë shqipe dhe vetë popullin shqiptar, ndërsa të drejtën e popullit shqiptar të Kosovës për të jetuar i lirë e i mosvarmë e mbrojti gjithandej botës, në qarqe intelektuale e kulturore, në ambiente politike e në letërkëmbimin e tij me personalitete të shquara botërore”, ka theksuar ajo.

Osmani në reagim ka shtuar se “Populli i Kosovës, sikur i gjithë populli shqiptar, sot është në zi”.

Advertisement

“Ai humbi kolosin e dijetarin më të njohur shqiptar, humbi mbështetësin e pandalshëm të së drejtës së popullit shqiptar në Kosovë për të jetuar i lirë e i mosvarmë e promovuesin e pandalshëm të kësaj të drejte gjithandej botës. Humbi shkrimtarin e papërsëritshëm, të cilit si Presidente kisha nderin t’ia dorëzoja shtetësinë e Kosovës kohë më parë, sikurse edhe Urdhrin “Hasan Prishtina”. Për dhjetëvjetësha të tërë, ai e kultivoi artistikisht e intelektualisht ndjenjën e lirisë, duke na bërë edhe ne, shqiptarëve të Kosovës, ta kuptonim më mirë përmasën e lirisë e ta gjakonim atë përjetësisht”, nënvizoi ajo.

Në reagim, Osmani thekson se “Kapërcimi i tij në jetën e përtejme shënjon ndarjen fizike nga ne, por ai do të mbetet përjetësisht në zemrat e në shpirtrat e miliona lexuesve e adhuruesve të veprës së tij, në zemrat e shpirtin e çdo shqiptari, kombit të cilit i shërbeu deri në frymën e fundit”.

“Lavdi veprës e jetës së kolosit Ismail Kadare”, shkruan Osmani. /vizionplus.tv

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy