Është ndarë nga jeta zëri ikonik i Radio Tiranës, Vera Zheji.
Vera Zheji ishte pinjolle e dinastisë kulturore Zheji, motra e gjuhëtarit e filozofit të madh Petro Zheji dhe shkrimtarit e studiuesit të njohur, Gjergj Zheji.
Vera Zheji lindi më 30 Janar 1933 në Tiranë. Kur ishte vetëm 15-vjeç, në vitin 1948, Vera Zheji u bë një zë popullor kur nisi të lexonte emisione letrare përpara mikrofonit të Radio Tiranës. Ajo krijoi emisione të ndryshme e mjaft të ndjekura në radio, si Bota e përrallave, Universiteti popullor i radios, Enciklopedia e radios e disa të tjera, të cilët u identifikuan me mënyrën e saj unikale të të lexuarit e të folurit.
Presidenti Bajram Begaj ka reaguar për ndarjen nga jeta të saj dhe thotë se ajo do të kujtohet me nderim si “zonja e madhe” e mikrofonit dhe skenës.
Reagimi i plotë:
Sot u nda nga jeta Vera Zheji, zëri ikonik i Radio Tiranës.
Një grua që pothuajse është e vështirë që të ketë të ngjashme në cilësinë e gazetares, spikeres dhe gruas me mendje të lirë.
Spikere, gazetare, aktore dhe pedagoge e Fjalës Artistike në Institutin e Lartë të Arteve, Vera Zheji do të kujtohet me nderim si “zonja e madhe” e mikrofonit dhe skenës. /vizionplus.tv