Ministria e Kulturës ka shtyrë afatin e dorëzimit të aplikimeve për postin e Drejtorit të përgjithshëm të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, deri në datën 06 maj 2022.
Në njoftimin e bërë në faqen zyrtare, ministria pranin se ky vendim është bërë për shkak të paqartësive që kanë krijuar kriteret e vendosura.
Në listën e kritereve bie në sy se ato janë të ndara në dy kategori: e para lidhet me përmbushjen e kritereve bazë si përshembull të qenit shtetas shqiptar, të dish shqip, apo të mos jesh dënuar për ndonjë krim.
Kategoria e dytë përcakton kriteret e posaçme, që lidhen në fakt drejtpërdrejt me pozicionin e drejtuesit të teatrit të operës si dhe administrimin e këtij institucioni.
Dhe kushti i parë në këtë listë është ai i arsimimit të duhur sipas profilit përkatës..
Por më herët, pikërisht këtë kriter bazik, drejtuesit e ministrisë së kulturës e quajtën thjesht një sugjerim.
Ky lloj shpjegimi që i bëhet kritereve të posaçme të shpallura nga vetë ministria, i hapin rrugë aplikimit edhe të personave që nuk zotërojnë arsimin e kërkuar specifik, sikundër është kërkesa për një rikandidim nga drejtuesja aktuale Zana Çela.
Vizion Plus pyeti për emrat e kandidatëve që kanë shprehur interes, por ato nuk bëhen publike nga ministria. Në një përgjigje zyrtare thuhet se ato do të shpallen vetëm në datën 6 maj.