Sot me shumë vite karrierë dhe i mirënjohur për artin e tij, por dikur valltari, Deli Metaliaj, ishte një fëmijë që ëndërronte të krijonte jetën e tij në bazë të asaj që dinte të bënte më mirë, vallëzimin. Ai rrëfen në Quo Vadis se ishte vetëm 6 vjeç, kur talenti i tij u zbulua nga një koncert i rastësishëm në vendlindjen e tij.
“Këtu u përkujtonte Heroi i Popullit, Bajram Curri, tek Shpella e Dragobisë dhe unë isha në moshën 6 vjeç. Në atë kohë ishte sekretari i parë nga Skrapari, unë fëmijë i vogël nuk kisha parë kurrë as fizarmonikë as klarinetë, sepse dihej që ishin vitet 60’. Kur shoh ata për herë të parë më ngacmoi diçka në shpirt dhe më thanë dil e kërce, sepse kërcimi tribu është improvizim, tre mijë vetë improvizojnë me njëri-tjetrin. Unë kërcej, po aq bukur sa m’u afruan të gjithë, madje sekretari më dha 1 mijë lekë, në atë kohë ishin shumë. Tha këtë fëmijën do ta çojmë në shkollë të muzikës e baletit. U futa në shkollën 8-vjeçarë, kam pas rastin, që kam pas bashkëfshatare por edhe mësuese, artisten e madhe të shqiptarisë, Fatime Sokolin. Ajo ma pa prirjen, talentin dhe në 66’ u bë festivali i shkollave në qytetin e Bajram Currit, aty unë i hodha hapat e para të kërcimit”, tha ai.
Një vit më pas ai thekson se më tej filloi pasionin e tij për të mos e lënë më kurrë, ndërsa ndër vite është vlerësuar dhe me çmime të ndryshme.