Filmi shqiptar “Mbjellja e pemëve”, me skenar të Ylljet Aliçkaj dhe regji të Fabio Seferit, është përzgjedhur në sektorin e filmit me metrazh të shkurtër në Festivalin e Kanës.
Ky produksion paraqet historinë tronditëse të një nëne që gërmon tokën pranë burgut të Burrelit për të gjetur trupin e të birit 18-vjeçar, të dënuar në burgjet e komunizmit, për shkak se lexonte libra të ndaluar.
Diktatura merr në dorë jetën e protagonistit të interpretuar nga Roerd Toçe, ndërsa pjesë e realizimit janë dhe emra të njohur të kinematografisë si Luiza Xhuvani, Kastriot Çaushi, gjithashtu dhe aktori i mirënjohur Gulielm Radoja, i cili luajti dhe rolin e tij të fundit.
Filmi do të shfaqet në Canne më datë 25 maj, ora 15:30.
Edicioni i 75-të i festivalit u çel të martën me filmin “Coupez”. Mbrëmja nisi me një video-mesazh nga presidenti i Ukrainës, Zelenski. Por nuk mbeti pa u vënë re dhe mungesa delegacionit zyrtar të Rusisë.
Festivali më i rëndësishëm i filmit në Europë sjell shpesh mesazhe nëpërmjet filmave të përzgjedhur.