“Kultura e Vuajtjes“/ Shfaqje në Fier kushtuar Marie Rafaelit në kuadër të festivalit “Hungarissimo”

Pinterest LinkedIn Tumblr +
“Kultura e Vuajtjes“/ Shfaqje në Fier kushtuar Marie Rafaelit në kuadër të festivalit “Hungarissimo”

Një grua e bukur hungareze, një artiste, mjeshtre e lojës në pianoforte, u çapit tok me ne për mbi 30 vjet, në rrugën shqiptare të mundimeve.”

Kështu nisi homazhi për një nga simbolet e qytetit të Fierit dhe një nga personazhet më interesante dhe ndikuese të shkollës së pianistikës në Shqipëri. Bëhet fjalë për pianisten Marie Rafaeli.

Zhvillimi i festivalit “Hungarissimo” në Shqipëri, në kuadrin e javës kulturore hungareze, ofroi një mundësi të artë për të nderuar jetën dhe punën e një personazhi kaq ndikues për jetën e atyre që e njohën Marie Rafaelin, mbi të gjitha të nxënësve që punuan me të. Vetë jeta e saj simbolizon një lidhje të bukur ndërmjet kulturës shqiptare dhe asaj hungareze. Prandaj, nuk mund të vinte më natyrshëm celebrimi i jetës së saj se sa në teatrin e qytetit dhe në shkollën artistike “Jakov Xoxa“, vendin ku jetoi dhe punoi për aq e aq vite.

Por nëse të pranishmit prisnin një event celebrues statik, ata mbetën të gjithë të surprizuar. Ajo çfarë erdhi në skenën e teatrit “Bylis“ në fakt ishte një shfaqje e jashtëzakonshme artistike, që preku përtej çdo imagjinatë secilin prej spektatorëve. Dhe nuk do mund të vintë dot në jetë kjo shfaqje pa Pëllumb Kullën dhe Xhulieta Kullën, të cilët, sikurse dhe Marie Rafaeli, janë bij të adoptuar të qytetit.

Advertisement

Jetesa dhe puna e tyre e gjatë në qytetin e Fierit u dha mundësinë atyre për ta perceptuar dhe kënaqur më mirë se kushdo tjetër shijen artistike të banorëve dhe artdashësve lokalë, pa denatyruar motivin e festivalit, por mbi të gjitha vetë kredon e tyre artistike.

Pikërisht mbi këto elemente u ndërtua dhe homazhi “Kultura e Vuajtjes“ kushtuar Marie Rafaelit, ku nuk mund të gjendej një përcaktues më kumptimplotë për artisten që priti për dekada çlirimin e bashkëshortit nga prangat e padrejtësisë së absurdit. Në vetvete, një histori tragjike kjo, ama e njohur dhe e përjetuar ngjashmërisht nga shumë e shumë shqiptarë të tjerë dhe jo vetëm.

Përtej homazhit, ishte një shfaqje skenike ajo që la një shije të veçantë kënaqësie publikun e gjerë. Surpriza ishte përgatitja e nxënësve të shkollës 9-vjeçare “Flatrat e Dijes“ për vënien në skenë të fragmenteve të kryeveprës letrare “Djemtë e rrugës Pal”, të autorit hungarez Ferenc Molnar. Nën skenarin fantastik të Pëllumb Kullës dhe punës me shumë dashur të Xhulieta Kullës për përgatitjen e aktorëve të rinj, u vu në skenë një nga pjesët më të bukura dhe emotive të romanit.

Shfaqja teatrale eksploroi shtresat e mëtejshme të historisë letrare dhe situatën bazë dramatike, por u shënua edhe nga një tjetër element kritik: gërshetimi i teatrit fizik dhe muzikës.

Advertisement

Kjo sepse skena u shoqërua me performancën muzikore në piano me katër duar të pianistes shqiptaro-hungareze Almira Emiri dhe të pianistes koreano-hungareze Neul-Bit Ha, të cilat sollën përzgjedhje muzikore nga të dyja kulturat, ajo shqiptare dhe hungareze.

Por, nuk mund të mungonte dhe një tjetër aspekt brilant, sikurse ishte ndërhyrja e arrirë e baritonit të mirënjohur shqiptar, Sokol Hidersha.

Kjo buqetë performancash muzikore shërbeu si një intermexo plotësuese dhe prekëse njëkohësisht, duke ngritur në një tjetër nivel të gjithë atmosferën dhe tejkaluar çdo lloj pritshmërie.

Të gjitha këto elemente, së bashku, sollën shijen e një kohe të shkuar, më të bukur nga pikëpamja e gjallimit artistik. Kohën kur skena e teatrit dhe e estradës së qytetit të Fierit gëlonin nga shfaqjet, shkëlqenin nga talentet dhe buzagazeshin nga të gjithë banorët e etur për art dhe kulturë. Një kohë që nuk rikthehet dot më ndoshta, për shkak se nuk i prekin këto skena artistë të kalibrit të Marie Rafaelit, tashmë në amshim, ose të Xhulieta dhe Pëllumb Kullës, të cilët e kanë jetën e tyre tashmë përtej oqeanit.

Advertisement

Por dhe një shembull i asaj çfarë mund të realizohet, përsëri, me protagonistë të rinj sigurisht, por të cilët duhet të kenë një gjë të njëjtë: pasionin për të frymuar art.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy