Kontributi i Valltares Liljana Cingu, e ndarë nga jeta pak kohë më parë, vijon të jetë i gjallë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Me një kolazh këngësh e vallesh nga veriu në jug, të repertorit më të njohur të saj, ansambli po bëhet gati të vijë pranë publikut sonte në mbrëmje, me koncertin “Mbretëresha e vallesh shqiptare, Lili Cingu”.
“Kjo është një pjesë e valleve ku ne kemi sjellë Lili Cingun të gjallë mes nesh me vallet më të spikatura që ajo ka kërcyer. Një nga vallet më emblematike që ka kërcyer është “Vallja e Rexhës” “Vallja e Shqipeve” po ashtu “Vallen Çame”, ku me nuancat e saj bënte për vete publikun, kemi dhe “Vallen Cigane”, tha valltari Leonard Mitrushi.
Ky koncert është një moment i veçantë në karrierën e valltarëve të rinj, të cilët Lili Cingun e kanë patur shembull jo vetëm për individualitetin e spikatur, por edhe për prezencën skenike dhe pasionin për vallen shqipe.
“Të performosh valle të cilat i kanë interpretuar ikonat më të mëdha të ansamblit siç është mbretëresha e valles Liljana Cingu, por ajo ka kërcyer në krah të Besim Zekthit e Rexhep Çelikut, kusht që dhe unë që jam djalë e ndjej atë peshën se si duhet të jem në skenë”, tha valltari Endri Sejati.
“Sigurisht që ka ndikuar shumë Lili Cingu ka qenë idhulli im dhe po mundohemi sa më shuam të marrim ato nuancat e saj edhe pse ajo është e pazëvendësueshme”, tha valltarja Katerina Konini.
Artistja e mirënjohur, e cila u nda nga jeta në shkurt të këtij viti, ishte një nga valltaret më të njohura shqiptare, e nderuar me disa tituj për karrierën e saj artistike, si “Nderi i Kombit” dhe “Mjeshtër i madh”./vizionplus.tv