Piktori i njohur Ali Oseku është ndarë nga jeta pas një beteje me një sëmundje të rëndë.
Lajmi është bërë i ditur nga galeria FAB përmes një postimi në rrjete sociale.
Ali Oseku lindi në Tiranë, në një familje me origjinë nga Gjakova. Liceun artistik e mbaroi në vitin 1963, ndërsa Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1969. Pas studimeve, artisti fillon punë si skenograf në TOB.
Ai menjëherë u kthye në një figurë tërheqëse në skenën e artit shqiptar të fillimviteve ’70, duke sjellë një frymë të re në skenografitë e shfaqjeve që ai do të projektonte, si dhe një nerv artistik të veçantë në krijimet që solli nëpërmjet pikturës së tij.
Në vitin 1973, në valën e ndëshkimeve shtetërore në fushën e artit dhe kulturës, artisti dënohet me burg deri në vitin 1979.
Pas kësaj periudhe, artisti punon si punëtor i thjeshtë, deri në rënien e sistemit. Pas viteve ’90, u bë një nga zërat më aktivë të skenës artistike vendase.