Debate për menaxhimin e Bylisit, ekspertët ngrenë shqetësimin e mungesës së transparencës

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Debate për menaxhimin e Bylisit, ekspertët ngrenë shqetësimin e mungesës së transparencës

Diskutimet për hartimin e planit të Menaxhimit të parkut arkeologjik Bylis-Klos nuk munguan as në konsultimin e dytë publik që u mbajt në Tiranë.

Projekti, i cili synon restaurimin dhe zhvillimin e një infrastrukture moderne, si dhe zhvillimin e zonës, hasi kundërshtime nga përfaqësues të institutit të arkeologjisë dhe grupeve të interesit, duke krijuar debate për mungesë transparence financiare në hartimin e këtij plani por edhe për tjetërsimin e planit të menaxhimit nga ai që ishte hartuar më herët.

“Synimi jonë është të ftojmë delegacionin evropian të mos investojë për letra. nuk duam ekrane duam objekte. kemi mbi 20 mijë objekte nga gërmimet arkeologjike. Vizitori duhet të lexojë historinë e Bylisit nëpërmjet objekteve dhe jo përmes ekraneve”, shprehet arkeologu, Neritan Ceka.

“Plani i prezantuar në Bylis në dëgjesën e parë ka ndryshime me këtë të dytën. Propozoj të bëhen edhe ndryshimet administrative dhe të shkoj plani aty ku të jetë transparent, për shpenzimet dhe realizimet siç kanë folur të gjithë arkeologët dhe specialistët”, thotë ish-drejtori i projektit, Tomorr Alizoti.

Advertisement

Edhe Bylisi duket se po shkonte drejt të njëjtit fat si Butrinti, duke ngritur dyshime se ky sit mund të jepej me koncension dhe t’i kalonte për menaxhim Fondit Amerikan të Zhvillimit.

“Ky plan i juaj sot për sot na tregon që ti jepni dhe Bylisin AADF siç keni dhënë Butrintin. Dhe n.q.s. projekti juaj do ishte që ta regjistroni në UNESCO, UNESCO nuk do ishte dakord që ta regjistroni nëpërmjet një fondacioni por nëpërmjet shtetit shqiptar. prandaj ju e keni anashkaluar këtë pikë”, thotë Ina Zhupa, deputete e PD.

“Ne plan menaxhime te tjera i thuhet shtetit shqiptar forconi institucionet tuaja jo t’ja u jepni trashëgiminë institucioneve private”, shprehet Aulon Tare, arkeolog.

Por këto zëra u hodhën poshtë nga zëvendës ministri Sokol Duma.

Advertisement

“Nuk do ta quaja koncesion. Thelbi i idesë së fondacionit ishte fondacion publik dhe jo privat ku pjesmarrës dhe themelues do ishin ministria dhe institucionet shkencore si instituti arkeologjisë dhe akademia e shkencave”, tha Sokol Duma.

Plani i menaxhimit të Bylisit dhe Klosit, shihet si një projekt që do të sjellë jo vetëm ruajtjen e parkut, ruajtjen e objekteve arkeologjike, zhvillimin ekonomik të zonës dhe rritjen e numrit të vizitorëve përmes ngritjes së një muzeu arkeologjik dhe një qendre multifunksionale./vizionplus.tv/

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy