Punimet artizanale vijojnë të ruhen me fanatizëm veçanërisht në qytete të vogla të vendit si Kruja. Një prej këtyre artizaneve është Makbule Kaçiu, e cila që në vegjëli është marrë me endjen e kostumeve popullore tradicionale.
Ajo ka ruajtur versionet e vjetra të këtyre veshjeve duke u përpjekur t’i sjellë sa më afër origjinalit.
“E kam filluar me kostume të traditës shqiptare. Kam zbërthyer komplet kostumin e hershëm duke filluar nga buzja, jeleku. Çdo gjë e kam ruajtur sipas modeleve të vjetra. 12 fije ar i kam bashkuar në një. Zanatin e kam marrë nga mami im”, tha Makbule Kaçiu, artizane.
Makbule Kaçiu tregon edhe disa sekrete të vogla të punës me kostumet popullore.
“Sa më e madhe të jetë këmba aq më e madhe është pasuria. Gjatësia e saj tregonte shtresat e shoqërisë. Më të varfrit kishin këmbë më të vogla, ata të shtresës së lartë dalloheshin prej tyre”, u shpreh Makbule Kaçiu.
Dëshira e saj më e madhe është trashëgimi i punës së dorës, dhe në pamundësi për ta kaluar tek dy djemtë e saj ajo fton të gjithë të rejat për t’i mësuar këtë profesion.
“Kam dëshirë ta jap. Lum ai që e merr këtë zanat. Ky është një byzylyk floriri në dorë, zanati është i tillë. I lusim të rejat të vijnë të mësojnë pa lekë”, tha Makbule Kaçiu.
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit prej kohësh ka ndërmarrë politika mbështetëse për artizanët, ndaj në kuadër të kësaj nisme në Krujë u mbajt panairi “Arti dhe tradita” ku artizanë të shumtë të qytetit promovuan punët e tyre../vizionplus.tv/