Aktori i mirënjohur i humorit, Zef Deda është ndarë nga jeta në moshën 73-vjeçare. Zef Deda ka qenë një nga komedianët më të mirë në vend, i cilësuar edhe si Charlie Chaplin i Shqipërisë.Miq dhe kolegë janë zgjuar të shokuar nga lajmi mëngjesin e sotëm, mes tyre edhe Drane Xhaj.
Si mikja më e afërt e Zef Dedës, Xhaj në emisionin “Vizioni i Pasdites” me Brikena Priftin thotë se aktorin e madh e ka takuar vetëm dy ditë më parë, teksa shton se ai ishte i kthjellët dhe e dinte fundin e tij.
Dy muajt e fundit shton aktorja, gjendja e Dedës ka qenë e rënduar dhe nuk dilte fare nga shtëpia/
“Është një dhimbje që nuk e përshkruaj. Kemi që në mëngjes që e kemi marrë vesh dhe akoma nuk e kemi marrë veten. Është një humbje e madhe jo vetëm për ne, por për të gjithë artistët. Zef Deda ishte dhe do mbetet një nga artistët më të mëdhenj të humorit. Sot u nda nga ne Chaplini shqiptar. Zefi si artist ishte një nga më të mëdhenjtë e me të drejtë quhet fenomen.
AdvertisementPara dy ditësh e kemi vizituar në shtëpi. E kemi vizituar çdo ditë këto dy muajt e fundit. Gjendja nuk ka qenë e mirë, por mjaft e rënduar. Ai ishte shumë i kthjellët mëndërisht. U emocionua që na pa. Ai e priste fundin e tij, por ne nuk donim ta besonim sepse nuk e donim ikjen e Zefit. Ai ka ikur fizikisht, sepse do mbetet gjithmonë me ne në të gjitha familjet e shqiptarëve”, tha Xhaj.
45 vite bashkëpunim në skenë mes Drane Xhaj dhe Zef Dedës, ka bërë që marrëdhënia e tyre të kthehej në familjare, jo vetëm miqësore.
Aktorja shprehet se bashkë kanë ndarë gëzime, hidhërime e brenga.
“Unë kam pasur fat të jashtëzakonshëm që kam punuar me këtë trup. Kam 45 vite që kam punuar me Zefin dhe kam pasur role të veçanta. Për mua dhimbja ka qenë e madhe. Ai ka qenë pjesë e familjes. Ne kemi ndarë gëzime, hidhërime, brengat me atë. Me Zefin kam qenë çdo ditë në studion e estradës, duke krijuar atmosfera miqësore dhe humoristike”, tha ajo.