Nga Hasan Bello/ Vrasjet politike për arsye elektorale në Shqipëri datojnë afërsisht një shekull më parë. Ato fillojnë pas 30 nëntorit 1922 kur Parlamenti shpërndahet dhe Këshilli i Naltë dekretoi zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese. Atmosfera politike në këtë periudhë, ishte shumë e tensionuar.
Grupimet politike ishin kristalizuar, duke u ndarë në dy parti të mëdha: Partinë “Përparimtare” dhe “Popullore”. Kryeministri Ahmet Zogu shihej nga kundërshtarët e tij politikë si rival kryesorë. Për të kontrolluar situatën, ai kërkoi shkarkimin Komandantin e Përgjithshëm të Xhandarmërisë, Shefqet Korça që në prapaskenë intrigonte, duke bashkëpunuar me opozitën. Kjo e fundit e nxiti atë të refuzonte urdhrin e kryeministrit. Ministri britanik, Eyers kundërshtimin e Shefqet Korçës e konsideroi si akt rebelimi, që nuk ishte gjë tjetër veçse grusht shteti.
Opozita u përpoq t`i impononte Zogut disa kushte. Ndërkohë lufta elektorale u ashpërsua për arsye të kandidimit të disa personave në qarqe që nuk kishin asnjë lidhje me popullsinë.
Kulmi i kësaj fushate arriti në muajin nëntor me vrasjen në Peqin të Adem Gjinishit, e cila thuhej se ishte nxitur nga Shefqet bej Vërlaci. Në Kongresin e Lushnjes Adem Gjinishi ishte zgjedhur senator i Peqinit dhe, në këtë qytezë gëzonte influencë të madhe.
Por ajo që pati jehonë akoma dhe më të madhe, ishte vrasja më 25 dhjetor 1923 e tregtarit Haxhi Jusuf Kazazi së bashku me bashkëshorten e tij në Kavajë. Sipas kujtimeve të Xhemal Kusit, organizatorë i kësaj vrasje ishte Irfan Ohri, nipi i Aqif Pashë Elbasanit, i cili në këtë periudhë ishte një nga kundërshtarët më të mëdhenj politik të Ahmet Zogut.
Kjo vrasje kishte si qëllim që ta paraqiste Zogun si kriminel që të eleminonte për një votë, dhe ta komprementonte atë në sytë e shqiptarëve. Irfan Ohri pasi kishte rënë dakord me toger Durro Dinon, njeri i major Shefqet Korçës, me djallëzi ngarkuan një person për të qëlluar Haxhi Jusuf Kazazin që njihej si mbështetës i opozitës antizogiste.
Në fillim i gjith populli dhe dy djemt e viktimave besonin ashtu siç propogandoi opozita dhe Irfan Ohri se, autorsinë e kësaj vrasje të dyfishtë e kishte Ahmet Zogu. Por hetimet provuan të kundërtën. Me nxitjen e opozitës dhe personave të lartpërmendur vrasja në fjalë ishte realizuar nga Qamil Xhani, që do të deklarohet fajtor dhe do të ekzekutohet me vendim gjykate.