Më 15 janar të vitit 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe kryen njërën ndër masakrat më të tmerrshme në Kosovë. 25 vjet më parë në fshatin e Reçakut u vranë dhe u masakruan mizorisht 45 shqiptarë të paarmatosur. Ky gjenocid, tronditi gjithë opinion ndërkombëtar.
Ambasadori i OSBE-së William Walker, e cilësoi në atë kohë ngjarjen si krim kundër njerëzimit. Në krahun tjetër Serbia e ka mohuar në vijimësi të ketë kryer këtë krime në Kosovë. Presidenti serb Aleksandër Vuçiq ka thënë shpesh se “masakra e Reçakut është vetëm një trillim i William Walker-it”. Lapsi.al sjell më poshtë një përmbledhje të asaj që shoqëron këtë datë.
Si nisi ngjarja
Në orët e hershme të mëngjesit të datës 15 janar 1999 fshati Reçak u zgjua i rrethuar nga formacionet e policisë speciale, ushtarake dhe paraushtarake serbe të shoqëruar edhe me mjete të shumta të motorizuara. Sipas dëshmitarëve, rreth orës 6.30 minuta, forcat serbe filluan të granatojnë fshatin me artileri të rëndë. Pas ndërprerjes së granatimeve forcat serbe u futën në fshat dhe filluan bastisjet shtëpi për shtëpi. Në ato momente, fshatarët u përpoqën të largohen nga fshati apo të gjejnë ndonjë vendstrehim të sigurt, por rrethimi i hekurt e bëri të pamundur një gjë të tillë.
Ndër të parët që u kap nga forcat policore serbe ishte Banush Azem Kamberi, familja e të cilit kishte braktisur shtëpinë. Pas dhunimit ai u ekzekutua me breshëri plumbash. Ajo që e bëri krimin edhe më barbar ishte se sërbët i prenë kokën, e cila nuk u gjet me trupin. Dramatike është edhe historia e familjes së Sadik Osmanit e cila ishte fshehur nga haurin e lopëve. Serbët e granatuan banesën dhe më pas u futën në oborr.
“Rreth orës 8:30, jemi tubuar në bodrum të shtëpisë së Sadik Osmanit, për t´u mbrojtur nga granatimet. Aty kanë qenë rreth 30 gra me fëmijë, kurse prej meshkujve ishin Sadik Osmani, Ramë Nesret Shabani, Mufail Hajrizi, Burim Osmani dhe disa djemë të rinj. Ndërsa burrat tjerë, rreth 30 veta, kanë qenë të vendosur në ahurin e lopëve të Sadik Osmanit. Fillimisht policia serbe i ka nxjerrë jashtë nga ahuri burrat dhe mandej ka ardhur një polic i maskuar dhe ka hapur derën e bodrumit, ka këqyr brenda dhe ka dalë jashtë. Ndërkohë, ka ardhur komandanti i policisë së Shtimjes dhe e ka pyetur policin e maskuar:“Çka ka këtu brenda?“.Polici i përgjigjet:“Gra dhe fëmijë“. Komandanti ia kthen: “Pse po gënjen? Këtu paska edhe burra“. Na kanë nxjerrë në oborr dhe na i kanë marrë letërnjoftimet…, ndërsa gratë dhe fëmijët i kanë mbyllur me dry (çelës) në bodrum” – rrëfyen dëshmitarët okularë Ramë Nesret Shabani dhe Sadie Ramadani.
“Dy tre policë e çelën derën e ahurit…dhe thanë:”Ima ovde mnogo irredentista, majko im jebem” (Këtu ka shumë irrredentistë, dhe nënën ja u qifsha). Na urdhëruan të dalim përjashta me duart përpjetë dhe kur dolëm përjashta ata kishin qenë shumë – 30 deri në 40 policë të renditur prej kodre, krejt të armatosur deri në dhëmbë e të mëdhenj, disa me maska e disa pa to”. I kanë tubuar në oborr dhe ia kanë marrë letërnjoftimet e dokumentet tjera” – thotë dëshmitari Bilall Sadri Avdiu që mbeti në haurin e lopëve.
Sipas dëshmitarëve, kriminelët serbë i shtrinë burrat në tokë dhe filluan t´i rrahin mizorisht duke përdorur kondakët e armëve, shqelmat, dru, zinxhirë dhe sende të tjera të forta. Gjatë rrahjeve në oborrin e Sadikut, dëgjohej gjëma dhe britmat e burrave, ndërsa në bodrum qanin e lemeritnin gratë e fëmijët e mbyllur në çelës. Pas kësaj drame tmerruese, kriminelët kaluan në fazën e dytë të veprimit. Rreth mesditës i vendosën burrat në rresht dhe i nisën në drejtim të malit. Në vendin e quajtur “Gropa e Bebushit” i ekzekutuan në kolonë 24 burra.
Reagimet
William Walker, ambasadori i OSBE-së në Kosovë, ishte i pari person i cili filloi të denonconte krimet serbe në Kosovë. Denoncimet e tij të vazhdueshme se popullsia në Kosovë po vritej nga serbët i hapi rrugën bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë. Një ditë pas masakrës Walker vizitoi fshatin dhe u ngjit deri tek “Gropa e Bebushit” ku ishin ende kufomat e 3 meshkujve. “Nga ajo që pashë nuk ngurroj të përshkruaj ndodhinë si masakër dhe krim kundër njerëzimit. Kjo është ngjarja më trishtuese në jetën time” – tha ai.
Në krahun tjetër, Vuciq thotë se ky është trillim. “Është e frikshme. Të gjithë anëtarët e Listës Serbe do të përsërisin të njëjtën gjë, dhe unë e përsëris tani – krimin e fabrikuar në Reçak, ku gjithçka u falsifikua nga ai mashtrues me flokë të bardhë, një mashtrues si Walker, një mashtrues”, – ka thënë Vuçiq. Sipas Beogradit, krimi u krye nga UCK dhe për të fajësuar serbët ndërsa burrat e vrarë humbën jetën në luftë me forcat serbe dhe më pas iu hoqën uniformat dhe u veshën si civilë.
Teorite konspirative
Qëndrimi i Beogradit i mbështetur edhe nga pahndehma paranojake ishte: “këta ishin terrorristë të UÇK-së, të vrarë përgjatë luftimeve” që më pas u grumbulluan në një vend për të krijuar një ngjarje që do lejonte goditjen e Serbisë. Në bazë të kësaj teze të dytë gëlojnë edhe teoritë konspirative. Ato fajësojnë së pari ambasadorin William Wollker, si një njeri të CIA-s i cili nxitoi menjëherë ta quante ngjarjen krim kundër njerzimit pa pritur asnjë ekspertizë.
Ato e lidhin këtë pandehmë me të shkuarën e tij si diplomat amerikan në Amerikën Latine dhe rrolin e tij në fshehjen e një krimi, vrasjen e gjashtë priftërinjve me bindje të majta nga trupat pro amerikane të qeverisë së Salvadorit. Duke iu referuar një shprehje të intelektualit të famshëm majtist, Naom Shomski, që e konsideron ambasadorin Uollker si “specialist të hetimit të krimeve shtetërore” ato e quajnë të dyshimtë shfaqen e tij në Reçak dhe reagimin e tij të menjëhershëm.
Por hipotezat nuk mbarojnë këtu. Ajo që u kunsiderua nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s , Havier Solana si një “vrasje civilësh e qëllimtë dhe e pakuptimtë” është për dyshuesit një “krim shumë perfekt për tu besuar”. Ata mbështeten kryesisht tek rrëfimi i një gazetari francez që ka qenë present në luftimet e asaj dite dhe reportazhit që ai ka botuar. Kristof Shatelo, shkroi në Le Monde në 21 janar shkrimin: “Të vrarët e Reçakut a u ekzekutuan gjakftohtësisht”? Sipas dëshmive të mbledhura prej gazetarit, nga vëzhguesit ndërkombëtarë dhe dy gazetarë amerikanë që ndiqnin luftimet e 15 janarit në njërën prej kodrave përballë, policia serbe nuk mund të mblidhte qetësisht fshatarët dhe t’i eksekutonte pa shqetësim, ndërkohë që ajo ndodhej në grykën e zjarrit të UÇK-së.
Ai ngre edhe një pyetje të dytë: “Si fshatarët e Reçakut që u kthyen në shtëpitë e tyre pas luftimeve të së premtes nuk e dalluan dot varrin e përbashkët të masakrës që e zbuloi të nesërmen Uilliam Uollkeri?”
Dhe Kristof Shatelo, që shkruante në një gazetë që do të mbante një qëndrim të hapur pro luftës, nuk nguron të bëjë deduksionin: “Ato mund të kenë qenë trupa luftëtarësh të vrarë gjatë betejës që u mblodhën më pas për të krijuar efektin e tronditjes së opinionit”. Këto argumenta i ka rimarrë me shumë dëshirë edhe autori kontrovers Pierr Pean, që në librin e tij ku e nxin luftën e Kosovës “Një luftë e drejtë për një shtet mafioz”, shkruan: “Duke qenë se Reçaku ishte pika e kthesës për fillimin e bombardimeve, nuk duhet të jemi indiferentë ndaj vërtetimit se ai mos u përdor me qëllimin e vetëm për përshpejtimin e luftimeve”.
Gjithashtu, dy vite më vonë, gazeta gjermane Berliner Zeitung mbërrin në përfundimin se Reçaku që shërbëu për të nisur luftën, “nuk qe një vrasje massive e civilëve shqiptarë nga milicia serbe”. Sipas të përditshmes berlineze, ekspertët mjeko ligjorë finlandezë që hetuan për origjinën e viktimave dhe momentin e ekzekutimit të tyre nuk arritën dot në përfundimin se ata qenë banorë të Reçakut. Dhe konkluzioni i shkrimit është tejet i fortë: “provat për atë që u paraqit nga OSBE dhe nga politikanët perendimorë si një masakër e civilëve nga forcat e sigurisë serbe, nuk ekzistojnë”.
Pra mbi këto hipoteza mbështetet presidenti serb Vuçiç dhe ata që mendojnë si ai se ai qe “një krim i fabrikuar”.
Por ndonëse për ngjarje të tilla teoritë konspirative, pandehmat negacioniste nuk mungojnë asnjëherë në historinë e botës, që nga Holokausti e deri thellë në historinë e largët, Reçaku u njoh si një krim nga gjykata penale e Hagës dhe ish-Presidenti serb Sllobodan Millosheviç u akuzua edhe për të gjatë procesit të tij pas luftës. ©LAPSI.al
LEXO EDHE: Masakra e Reçakut/ Teoritë konspirative rreth ngjarjes që nisi luftën
The post Sot 25 vjet nga masakra e Reçakut/ Dëshmitë rrëqethëse, por dhe teoritë që e kanë ndjekur appeared first on Lapsi.al.